Ka nisur seanca në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ku do të bëhet paraqitja e parë e ish-nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj.

Nasim Haradinaj para Prokurorit të Dhomave të Specializuara ka thënë se ka pranuar aktakuzën kundër tij, por siç është shprehur ai, nuk e ka lexuar fare, shkruan Reporteri.

“Kam nënshkruar një dokument që e kam pa që është aktakuzë, të drejtën të them as nuk e kam lexuar. Kom pranu një dokument të tillë”, ka thënë shkurt Nasim Haradinaj.

Nasim Haradinaj akuzohet për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Paraqitja e parë e Haradinaj si i dyshuar u mbajt më 29 shtator të këtij viti, ndërsa pas konfirmimit të aktakuzës tash fillon faza e procedurës paraprake të çështjes së tyre, duke nisur me paraqitjet e tyre të para.