Komuna e Podujevës ka hartuar planin e ri për mbledhjen e mbeturinave në territorin e saj. Pas katër vjetëve, kompanisë e cila ka bërë mbledhjen e tyre “Natyra”, i janë hequr klientët në shumë pjesë të vendit. E, për këtë drejtues të kësaj kompanie janë shprehur të pakënaqur, njofton Llapi.info
Kësaj kompanie i janë hequr kontratat në shumicën e territorit të Komunës së Podujevës, derisa pjesa më e madhe i ka mbetur kompanisë së posa kontraktuar “Pastrimi”, krejt kjo, pasi siç është thënë nga Komuna e Podujevës për një ambient më të mirë e me kosto më të vogla.
Në Komunën e Podujevës kanë thënë se tani plani i ri për mbledhjen e mbeturinave është bërë me qëllim që të ketë shërbime më cilësore.
“Janë ndarë lokacionet-vendbanimet ku do të operojnë në grumbullimin e mbeturinave kompanitë “Pastrimi” dhe “Natyra”. Kjo është bërë me qëllim të zvogëlimit të kostos operative, rritjes së efikasitetit në punë dhe shërbime më cilësore. Nuk kemi pasur ankesa për asnjërën nga kompanitë që e kryejnë shërbimin e grumbullimit të mbeturinave. Pas vlerësimit të kapaciteve të Kompanisë “Pastrimi” është bërë ndarja e zonave të shërbimit kompanive për grumbullimin e mbeturinave. “Pastrimi” ka kapacitete të mjaftueshme për ofrimin e shërbimit në zonën e caktuar nga Komuna”, ka thënë zëdhënësi i Komunës, Nazmi Elezi.
Këtë plan e kanë kundërshtuar drejtues të kompanisë “Natyra”. Faik Haliti, drejtor i kësaj kompanie për Llapi.info ka thënë se me heqjen e klientëve ka qenë i detyruar të largojë edhe punëtorë nga kjo kompani private. Thotë se nuk kanë qenë në dijeni për ndryshim plani.
“Komuna vetë e ka bërë këtë plan pa pëlqimin tonë dhe nuk ka pyetur dhe na ka dëmtuar shumë si kompani. Bazë të planit dhe vendimit që na e kanë dhënë gjoja se po donë me bë shërbimin më të mirë e më cilësorë duke përfshirë Komunën. Ai vendim nuk përputhet me realitetin çka ata e thonë, “e kemi bërë për shkak të uljes së kostos”. Ankesa që ka pasur kompania para se me u bë ndarja e territoreve u kanë “se ku keni qenë më herët që nuk keni ardhur”. Ankesat kanë qenë vetëm në kuptimin pozitiv. I kemi pasur mbi 3 mijë kontrata, ndërsa tani na kanë mbet aktive mbi 400”, ka thënë Haliti.
Më tej, Haliti ka shtuar se si rezultat i kësaj detyrohet që akoma të zvogëlojë stafin e punës, pasi që sipas tij, i kanë mbetur pak lokacione që të operojë kjo kompani.
“Ne i kemi reduktuar diku 8 punëtorë i kemi larguar nga puna dhe tri asete të kompanisë (kamionë), i kemi hequr menjëherë prej përdorimi duke qëndruar në garazh. Edhe pse kemi bërë investim këta kamionë qëndrojnë të parkuar. 4 ditë pune i kemi. Kam protestuar përpara drejtorëve, sidomos asaj Drejtorisë së Shërbimeve Publike, por nuk është marrë parasysh gjoja se shërbimin duhet me vendos komuna se kush duhet të operojë. Ata po i dhënë prioritet kompanisë regjionale, nuk kanë këqyrë kualitetin”, ka thënë tutje ai.
“Na kanë telefonuar edhe konsumatorët të cilët kanë thënë se e dëshirojnë kompaninë tonë në shërbim, se me të vërtetë e kemi përfshirë tërë territorin e Komunës. Jemi shku në një fshat që nuk i ka pasur as 15 shtëpia. Unë vetë kam jetuar në Suedi, 20 vjet në perëndim dhe kam dashur të sjellë një frymë dhe një kulturë të perëndimit sa i përket mbeturinave në Podujevë. Nuk po mundem me kuptu vendimin dhe arsyen, se është vendim i pakuptimtë. Çka po fiton prej kësaj, po m’i largon punëtorët, 8 i kam larguar edhe 3 duhet me i largu prej stafit mjaft të suksesshëm”, është shprehur Haliti.
Në anën tjetër, Llapi.info ka kontaktuar edhe me menaxherin e kompanisë regjionale “Pastrimi”- njësia në Podujevë, Shaban Beselica, por ky i fundit ka thënë se gjendet në Shqipëri dhe nuk mund të deklarohet.
Për këtë çështje, përmes telefonit drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në këtë Komunë, Faik Muçiqi, ka thënë se do të diskutohet edhe në një seancë të paraparë të mbahet në sallën e Kuvendit Komunal të Podujevës.
Llapi.info gjatë ditës së djeshme ka krijuar edhe një sondazh, ku qytetarët e Podujevës kanë përkrahur kompaninë “Natyra” që të bëjë mbledhjen e mbeturinave./Llapi.info