Në Klinikën e Ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, gjatë ditës së sotme është ndalur energjia elektrike.
Punëtorët shëndetësorë kanë qenë në sallën e operacionit gjatë kohës kur është ndërprerë energjia. Ndërsa, operacionin e kanë kryer me dritë të telefonit.
Ortopedi në këtë klinikë, Sami Delijaj, ka treguar për Express se sot rreth orës 09:30, derisa ka qenë duke e operuar një pacientë, është ndalur rryma në klinikë.
Ai ka treguar se përkundër ndërprerjes së rrymës, ai bashkë me punëtorët tjerë shëndetësorë kanë vazhduar operacionin, i cili ka rezultuar me sukses.
“Unë kam qenë sot në sall të operimit. Rreth orës 09:30 është ndërprerë energjia elektrike. Ne nuk kemi pas ndonjë problem, e kemi pas nën kontroll gjendjen. Nuk është mirë të ndalet energjia, por ne e kemi kryer operacionin me sukses”, ka thënë ai.
Ky nuk është rasti i vetëm kur është ndalur energjia elektike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Delijaj ka thënë se raste të tilla kanë pasur edhe mëherët, por që nuk kanë qenë të shpeshta.