Foto: Llapi.info

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar pasqyrat financiare dhe shkeljet që janë bërë në vitin 2017 nga komuna e Podujevës, njofton Llapi.info

Nga ndarja e tenderëve dhe përdorimi i procedurave minimale, auditori ka gjetur se nga 209 kontrata të nënshkruara përmes procedurave tenderuese, 68 prej tyre ishin sipas procedurës, kurse 41 ishin me kuotim çmimesh.

“Nga 209 kontrata të nënshkruara përmes procedurave tenderuese, 68 prej tyre (32%) ishin bërë sipas procedurës minimale si dhe 41 (20%) ishin me kuotim çmimesh. Kjo përbën një raport relativisht të lartë të përdorimit të këtyre procedurave, dhe paraqet një dukuri jo të favorshme kur marrim parasysh madhësinë e kësaj komune si dhe humbje financiare për shkak se në rastet e tilla çmimet e ofertuesve mund të jenë më të larta;

Më tej, sipas LPP-së, Autoriteti nuk do të ndajë kërkesën për prokurim për një sasi të caktuar të produkteve me qëllim të zvogëlimit të vlerës së kontratës për furnizim nën kufirin e caktuar. Gjatë vitit 2017, ishin zhvilluar 23 procedura të prokurimit për hartimin e projekteve të ndryshme zbatuese sipas procedurës së vlerës minimale apo kuotim që në total përbëjnë vlerën mbi 106,996€, kjo në vend se të shkonin me një tender prokurimi/procedura të hapura. Për këtë çështje, ne nuk kemi marrë ndonjë përgjigje nga komuna (departamenti i prokurimit)” thuhet në raportin ZKA-së.

Sipas auditorit, edhe pse kuotimi tashmë është procedurë e hapur, afatet ligjore dhe vlerat janë më të kufizuara se sa tek procedura e hapur, prandaj rrezikon konkurrencën e drejtë.

Në lidhje me këtë auditori ka rekomanduar se kryetari, duhet të sigurojë se kërkesat e prokurimit duhet të përmblidhen qartë dhe me kohë nga njësitë kërkuese për të eliminuar nevojën për procedura të shpeshta dhe përdorimin e procedurave minimale dhe kuotimin. Kjo duhet të bëhet duke planifikuar me kohë dhe duke u fokusuar në një proces efektiv të prokurimit që siguron vlerën për paranë e shpenzuar./Llapi.info