Më një sipërfaqe prej rreth 5000 metrash katrorë janë ndërtuar trotuare me kubëza në disa fshatra të Komunës së Podujevës.

Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim (DSHPMSH) në Komunën e Podujevës, Faik Muçiqi, ka thënë se tashmë janë finalizuar projektet e ndërtimit të trotuareve përgjatë segmenteve rrugore në fshatrat Dumnicë e Poshtme, Majac, Letanc dhe Llapashticë, kurse është duke u realizuar projekti i ndërtimit të trotuarit në Batllavë.

“Prioritet i kemi dhënë ndërtimit të trotuareve përgjatë akseve rrugore pranë shkollave, në mënyrë që nxënësve tu sigurojmë udhëtim më të sigurt nga shtëpia deri në shkollë dhe anasjelltas”, ka thënë Muçiqi.
Sipas tij, kjo është faza e dytë e realizimit të projekteve në ndërtimin e trotuareve të planifikuara për sivjet.

“Në fazën e parë janë ndërtuar rreth 5,000 metra katror trotuare në rrugët e qytetit dhe në fshatra. Me realizimin e projekteve të fazës së dytë do të rrumbullakësohen projektet e planifikuara për sivjet në ndërtimin e trotuareve, në një sipërfaqe prej 10 mijë metrash katrorë”, tha Muçiqi.

Punët në ndërtimin e trotuareve është duke i kryer kompania “Vëllezërit Hyseni”./Llapi.info

11846768_1613830248866679_2779081951056744048_n