Skuadra e Prishtinës përmes një postimi në llogarinë në Facebook, ka kritikuar gjyqtarin që ndau drejtësinë në ndeshjen që skuadra nga kryeqyteti e humbi nga Llapi.

Në këtë reagim thuhet se gjyqtari Besfort Kosumi, nuk ka bërë verifikimin e gjendjes së fushës, dhe nuk ka marrë pëlqimin e kapitenëve të skuadrës për zhvillimin e ndeshjes.

Në pjesën e mëposhtme, mund ta shikoni postimin e Prishtinës në Facebook:

Në fushën që ngjante në “lamë e derrave”, pa konsultimin e kapitenëve dhe pëlqimin e kapitenit prishtinas, gjyqtari kryesor Besfort Kosumi vendosi që ndeshja të zhvillohej

Podujevë, 11 mars – Në një mikëpritje shembullore, lojë jashtëzakonisht korrekte dhe angazhim më maksimal të skuadrës vendase, Llapi ka eliminuar Prishtinën në rrethin e dytë të Kupës së FFK-s, të quajtur “Digitalb Kupa e Kosovës”.

Edhe pse thënia: “fusha është e njëjtë për të dy palët” ka kaluar dhe vlente dikur nën masa të jashtëzakonshme të okupimit, ndërsa rregulli elementar në rregullat e futbollit është që për t’u zhvilluar ndeshja duhet të kërcej topi, gjyqtari kryesor, që është shpall më i miri i vitit 2014, pa verifikimin e fushës sëbashku me dy kapitenët e dy skuadrave dhe pa pëlqimin e kapitenit të Prishtinës dhe skuadrës së Prishtinës – dha pëlqimin për zhvillimin e ndeshjes. Ndërsa fusha, në tërësi të saj, jashtë vijave kufizuese – nuk i plotësonte as kushtet minimale të zhvillimit të ndeshjes, në asnjë pjesë të saj e lëre më 75% të saj.

Se a nuk ka njohuri gjyqtari Kosumi rreth rregullave të lojës se në çfarë kushte mund të luhet loja e futbollit, apo kishte trysni nga dikush apo urdhër që ta niste lojën në ato kushte, FC Prishtina nuk e dinë!
Fusha ishte e njëjtë për dy skuadrat, pra mund të komentojmë ndeshjen se arritën apo nuk arritën futbollistët t’i nxjerrin këmbët nga balta, se a arritën apo nuk arritën të pasojnë ndonjëherë, se a kishin pak a po shumë baltë në këpuca dhe se gjuajtja varej nga këto kushte, se kush gabonte e dilte më qesharak se tjetri kur topi ndalej në lloç…sepse për cilësi të futbollist nuk kemi çfarë të komentojmë.

Thjeshtë, konditat e lojës të favorizonin apo të dëmtonin, varësisht se binte topi në baltë (lloç!) apo në ujë e pastaj se sa kishte fuqi futbollisti të rikthehej të merrte topin të vazhdonte tutje, apo me ndonjë top të lartë të hedhur përpara…pra as lojë e ‘ragbit’ e as ndonjë sporti të njohur zyrtarisht.

Në momentin kur kemi aplikuar për njohje në UEFA, për dikë më me rëndësi është që pas aktivitetit (ekzistuan apo nuk ekzistuan kushtet!) të plotësohet protokolli, të ndahen honorarët dhe të trumbetohet në opinion se futbolli po zhvillohet.
Prishtina mund të mundet edhe në fushë normale loje, e ka shtrirë dorën atëherë dhe e ka shtrirë edhe sot dhe do të uroj gjithmonë skuadrat që e mposhtin, por kjo nuk është “fitore” e atyre që duan të përulin Prishtinën, ky është vetëm turpi i tyre që shfaqin para kamerave televizive ‘live’.

Komenti:

Në atë luftë sportive fizike (se kush nuk po mbetët më shumë në lloç) që u pa sot në ndeshje e cila ishte jashtëzakonisht korrekte, skuadra vendase u tregua shumë angazhuese, më me shumë fat dhe më mirë u gjend. Kjo ishte determinuese që të arrijnë sukses të madh kundër skuadrës shumë fish më cilësore.

U panë dy gola nga ndërprerjet, një gol pas mos perceptimit të mirë të topit në baltë, një traversë e vendasve dhe një top, po ashtu i vendasve, që u ndal në lloçin e krijuar para portës mysafire dhe nuk u fut në rrjetë.

Krejt çfarë do të mbahet mend nga kjo ndeshje është se skuadra vendase kalon tutje, ndërsa Prishtinës i mbetët pikëpyetja se deri kur organet e futbollit tonë do të punojnë në amatorizëm të thellë.

Prishtinës i mbetët gara kryesore, ajo për titull të kampionit, ndërsa të shtunën (14 mars – ora 13:00) në kuadër të javës së XVIII në derbin e vjetër do të presë Trepçën…