Organizata InnovActive Centre for Social Improvement (ICSI) ndihmoi institucionet shëndetësore të Komunës së Podujevës me pajisje në vlerë 25 mijë euro, njofton Zyra për Marrëdhënie me Publikun e Komunës së Podujevës, përcjell Llapi.info.

Gjithashtu në njoftim thuhet se drejtori i organizatës ICSI, Migjen Krasniqi u shpreh i gatshëm për bashkëpunim me Komunën e Podujevës për të realizuar aktivitete të tilla edhe në të ardhmen.

Në kuadër të bashkëpunimit në mes Komunës së Podujevës, përkatësisht Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (DSHMS) dhe organizatës InnovActive Centre for Social Improvement (ICSI), kjo e fundit dhuroi pajisje të ndryshme për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Podujevë, thuhet në njoftim.

Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Agron Hyseni, i cili ka pranuar këto pajisje, e vlerësoi si të rëndësishëm bashkëpunimin me organizatën ICSI.

“Ky donacioni do ta ndihmojë shumë punën e institucioneve shëndetësore. Pajisjet e dhuruara për QKMF do të ndikojnë drejtpërdrejt në shërbime më të mira për pacientët. Ne jemi shumë të interesuar ta vazhdojmë bashkëpunimin dhe për të sjellë edhe donacione të tjera”, tha Hyseni.

Kontingjenti me ndihma nga kjo organizatë përfshinë pajisje teknike për institucionet e sektorit shëndetësor (shtretër, tavolina, karroca invalidësh, sirtar, dollapë dhe aparate të ndryshme)./Llapi.info