Një rast i pazakontë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së dielës në qytetin e Podujevës, ku një i ri ka hyrë vetë në stacionin policor për një rast paraprak, por ka përfunduar i dyshuar për armëmbajtje pa leje dhe posedim të pajisjeve për narkotikë.

Burime të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se rasti ka ndodhur mbrëmë pas mesnate ku një 19-vjeçar nga Podujeva, është paraqitur në Polici për një rast të mëparshëm.

Por ajo që ndodhi më pas, e ndërlikoi edhe më tej situatën.

Siç merr Gazeta Sinjali, gjatë kontrollit fizik në dhomën e intervistimit, policia ka zbuluar se personi kishte me vete një thikë, si dhe një “mulli” për grirje të substancave narkotike, që dyshohet të jetë përdorur për kanabis apo lëndë të ngjashme.

Policia më pas ka kontrolluar edhe veturën e tij, ku është gjetur edhe një thikë tjetër.

I dyshuari më pas është intervistuar nga hetuesit policorë dhe ndaj tij me vendim të Prokurorit janë iniciuar dy vepra penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës” dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge”.