Disa orë pasi është liruar nga paraburgimi KALLXO.com mëson se Prokuroria Speciale nuk e kishte fare idenë që Azem Syla ishte liruar nga arresti shtëpiak. Madje lajmi për lirimin ishte marrë nga mediat.
Prokurori Abdurrahim Islami i cili ishte duke e përfaqësuar rastin ka dalë në pension javën e kaluar ndërsa lënda ende nuk i është caktuar një prokurori të ri. Në mungesë të një prokurori gjykata të premtën nuk ka pasë kërkesë nga Prokuroria Speciale për ta vazhduar masën e arrestit për Sylën.
Kryeprokurori i speciales, Reshat Millaku i ka thënë KALLXO.com, se për lirimin e Sylës ka kuptuar nga mediat. “Unë nuk kam ditur që masa i skadon, lajmin e kuptova mbrëmë nga mediat. Lëndën e ka pasë Abdurrahimi po ai tash ka dalë në pension” ka thënë Millaku. Ai ka shtuar se për një javë prokuroria nuk ka caktuar prokurorin ne ri i cili do të merret me rastin ndërsa nuk ka përjashtuar mundësinë që të ankohen ndaj vendimit për lirim. “ Kur ta marrim vendimin do e shohim a do paraqesim ankesë apo jo” ka thënë Millaku.
Azem Syla është liruar dje nga masa e arrestit shtëpiak me vendim të Gjykatës së Prishtinës. Kryetarja e Gjykatës Afërdita Bytyqi ka sqaruar se vendimi i gjykatësit ka ardhur për shkak se prokuroria nuk kishte kërkuar vazhdimin e masës.
Në rastin e njohur si “Toka”, Azem Syla dhe të tjerët akuzohen për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.
Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla ishte deklaruar i pafajshëm.
Prokuroria Speciale më 25 tetor 2016 ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.
Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.
Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitos, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.
Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.
Sipas aktakuzës, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.