Përkujtohen dëshmorët : Sabit Rrahimi, Bedri Ahmeti, Ismet Asllani, Fatmir Selmani, Hamdi Sejdiu dhe Ragip Ademi

Me manifestime përkujtimore sot në përvjetorin e 16 të rënies do të përkujtohen dëshmorët e UÇK-së të ZOLL që ranë në frontet e luftës që u zhvilluan atë ditë në këto anë.
Në këtë ditë kur forcat e NATO-së filluan bombardimet ndaj caqeve serbe në të gjitha frontet e luftës u zhvilluan beteja të ashpra në të cilat ranë edhe shumë dëshmorë të kombit.
Kështu Sabit Rrahimi, shef i shërbimit informativ pranë Brigadës 152 “Shaban Shala” ra heroikisht në fshatin Dobërdol derisa ishte në frontin e luftës për të penguar forcat serbe që tentonin të depërtojnë nga Serbia përmes fshatit Dumnicë.
Bedri Ahmeti, komandant kompanie pranë Brigadës 151 “Zahir Pajaziti” ra në fshatin e lindjes në Llapashticë ku ishte gjatë tërë luftës.
Ismet Asllani, shef i logjistikës së Brigadës 153 ra në afërsi të Lipjanit, ndërsa dëshmorët Fatmir Selmani, Hamdi Sejdiu dhe Ragip Ademi ranë në Tashefc në afërsi të kufirit Kosovë-Serbi prej nga tentonin të depërtojnë forcat serbe që të hyjnë në Kosovë.
Në shenjë përkujtimi për këta dëshmor sot do të bëhen homazhe dhe do të vendosen kurora lulesh në vendet e rënies dhe pranë varreve të tyre në Dobratin, Llapashticë, Prapashticë, Repë dhe Zhiti.
Në këto manifestime pritet të marrin pjesë shumë qytetar të Llapit e më gjerë si dhe familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, bashkëluftëtar të dëshmorëve dhe liridashës tjerë . Me këtë rast do të evokohen kujtime për jetën dhe veprën e dëshmorëve të kombit.

LAVDI TË GJITHË TË RËNËVË PËR LIRI !