Në fshatin Konushec të komunës së Podujevës po ndërtohet ura mbi lumin që kalon në këtë fshat. Punimet e kësaj ure i ka përcjell nga afër edhe Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, njofton Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim e Komunës së Podujevës, përcjell Llapi.info.
Me këtë rast Veliu tha se ndërtimi i infrastrukturës rrugore, pra dhe urave, vazhdon të jetë prioritet në investimet kapitale.
“Kjo është ura e parë që po ndërtojmë sivjet, kurse me projektet e miratuara buxhetore, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti kemi planifikuar të ndërtojmë edhe tri ura të tjera”, tha Veliu.
Brenda një periudhe të shkurtër kohore pritet të fillojë ndërtimi i urës mbi lumin Llap në Parkun e qytetit në Podujevë dhe urave në Dvorishtë dhe Pakashticë e Epërme.
Në njoftimin e Komunës thuhet se ura në fshatin Konushec është duke u ndërtuar në kuadër të projekteve të planifikuara me buxhetin e këtij viti.
“Në kuadër të projekteve të planifikuara me buxhetin e këtij viti Komuna është duke ndërtuar urën mbi lumë në fshatin Konushec. Për të përcjellë nga afër punimet në Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, bashkë me drejtorin e Drejtorisë për Shërbime Publike Mbrojtje dhe Shpëtim Faik Muçiqi, ka vizituar sot këtë fshat ku ndërtimi i urës është në fazën përfundimtare.”- thuhet në këtë njoftim.
Ndërtimi i urës në Konushec bëhet pasi vërshimet e vitit të kaluar kishin dëmtuar urën e vjetër./Llapi.info