Foto: Llapi.info

Janë rritur shpenzimet nga Komuna e Podujevës nëpër disa kode buxhetore, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018.

Kësisoj, shpenzime telefonike për këtë vit janë rritur 148 për qind e ato për dru janë rritur 326 për qind.

Në këtë periudhë janar-qershor sipas këshilltarëve nga opozita janë rritur harxhimet nga Komuna e Podujevës në shumicën e sektorëve.

Këtë rritje në disa sektorë, opozita në Podujevë e ka quajtur të panevojshme. Kësisoj Adelina Stublla këshilltare nga radhët e VV-së, ka thënë se po keqpërdoret paraja publike.

“Nuk i përmbush kriteret e transparencës së shpenzime të parasë publike. Nuk është i qartë për publikun, si dhe në disa kode nuk ka raportim të shpenzimeve. Ky raport tregon një të vërtet të mëdha për këtë qeverisje, si dhe dështimin e saj, si në aspektin e të hyrave ashtu edhe në realizimin e investimeve të planifikuara për vitin 2018. Të hyrat në shumicën e pozicioneve ka më pak, nga në ato të planifikuara. Madje, më keq është se ka të hyra më pak se në vitin 2017. Shpenzimet janë më të mëdha se tek investimet kapitale që janë në të mirë të zhvillimit të vendit”, ka thënë ajo.

Më tej ajo ka përmendur disa kode ku janë rritur shpenzimet për këtë vit në krahasim me vitin paraprak.

“Shpenzimet e ujit janë rritur 62 për qind në krahasim me vitin 2017. Shpenzime për mbeturina janë rritur 36 për qind, shpenzime telefonike janë rritur 148 për qind. Furnizimet në zyre janë rritur për 221.78 për qind, shpenzimet e naftës për ngrohje qendrore janë rritur për 32 për qind, për dru 326 për qind…në të gjitha këto nuk është dashur të ketë rritje. Derisa investime kapitale janë shumë të vogla e që tregon dështimin e LDK-së në qeverisje. Andaj, VV është kundër këtij raporti financiar, kundër shpenzimeve të parasë publike vend e pa vend vijnë e shtohen në disa kode”, ka thënë ajo.

Këtë raport për këtë periudhë kohore e kundërshtoi edhe PDK-ja. Shefi grupit parlamentar i këtij subjekti, Rafet Llapashtica, ka thënë se shpenzimet për udhëtime jashtë vendit janë të mëdha.

2 mijë e 796 euro është shumë që është harxhuar nga Komuna e Podujevës në gjashtëmujorin e parë për udhëtime zyrtare jashtë vendit. Krahasuar me vitin 2017, shpenzimet për udhëtime zyrtare për këtë vit janë rritur përreth 231 për qind.

Në anën tjetër drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, ka thënë se shpenzimet e buxhetit për ketë periudhe kanë arritur shumën 7,376,637 euro, ose shprehur në përqindje 34.5% e buxhetit të planifikuar.

“Këto janë shpenzime në kuadër të planifikimit për këtë periudhe dhe nëse e bëjmë një krahasim të shpenzimeve me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, kemi një rritje të shpenzimeve për 5 %. Ndërsa nëse e krahasojmë me periudhën janar-mars 2018 kemi një progres prej 46.2%”, ka thënë ai.

Pas diskutimeve lidhur me këtë pikë të rendit të ditës, Kuvendi me shumicë votash miratoi raportin financiar i Komunës së Podujevës për periudhën janar – qershor 2018, ndërsa ky raport u kundërshtua haptas nga VV dhe PDK./Llapi.info