Që nga shpërthimi i koronavirusit në Kosovë, deri më tani në Komunën e Podujevës pozitivë për COVID-19 kanë rezultuar 249 persona, raporton Llapi.info.

Tash e një kohë, testimi i të dyshuarve dhe rasteve të kontakteve kanë nisur edhe në QKMF-në e Podujevës. Mirëpo, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në këtë komunë, përveç ballafaqimit me rastet e shtuara me virusin korona, po ballafaqohet edhe me mungesë të oksigjenit.

Me këtë mungesë, tani në këtë kohë kur edhe ka rritje të ndjeshme të të infektuarve, për më shumë se dy javë QKMF-ja në Podujevë s’ka pasur oksigjen.

Këtë e ka thënë në seancën e sotme të Kuvendit të Komunës së Podujevës, këshilltarja e VV-së, Adelina Stublla. Sipas saj, QKMF në këtë komunë është duke u përballuar me mungesë të gjërave elementare kundër pandemisë së koronavirusit.

“Nuk e di se a është në dijeni ekzekutivi se prej 17.07.2020 s’ka oksigjen në QKMF, i cili nevojitet jo vetëm për të prekurit me COVID-19, por edhe te rastet e tjera emergjente. Përveç mungesës së oksigjenit, ka edhe mungesë të dezinfektuesve në hyre-daljet e korridoreve në ordinanca, e as në ambulanca, as në punkte shëndetësore, as në autoambulanca që i bartin pacientët për në QKUK. Prandaj, VV kërkon urgjentisht që të ketë furnizime në mënyrë të rregullt me oksigjen dhe pajisjeve tjera të domosdoshme”, ka thënë Stublla, raporton Llapi.info.

Se që ballafaqohet me mungesë të furnizimit me oksigjen kjo qendër s’e ka mohuar as drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Zaim Thaçi.

“Çështja e oksigjenit, është çështje që importohet prej shteteve tjera për sigurimin e oksigjenit. Ne me mundësitë tona në nivelin lokal jemi munduar që të bëjmë sigurimin e aparaturave që ne i themi “oksigjen koncetraturë”, i cili është aparat që prodhon oksigjenin dhe ne i kemi disa të tilla. Ndërsa, ne kemi furnizime me dezinfektues me 1000 copa dhe ato përdoren në institucione”, thotë Thaçi.

Sipas drejtorit të Drejtorisë së Shëndetësisë, Zaim Thaçi, lirimi i masave në fillim të qershorit ka ndikuar në rritjen e numrit të të infektuarve me koronavirus në Podujevë.

“Në territorin e Komunës së Podujevës, që nga marsi i këtij viti nga Podujeva janë testuar gjithsej 840 persona, ku 234 raste kanë rezultuar pozitive me COVID-19. Ndërsa tani kemi 114 raste që janë shëruar, 112 aktive dhe 8 raste exitus (të vdekur)”, ka thënë Thaçi sot paradite, para se të dilnin rezultatet e reja me virusin korona në këtë komunë.

Ai tha se gjatë kësaj periudhe rreth 3000 raste janë vizituar nga ekipet mjekësore anti-covid, të cilët janë në dispozicion 24 orë në shërbim të qytetarëve. Sipas tij, ekipi mjekësor i vendosur në piken kufitare në Merdarë ka regjistruar rreth 32 mijë vizita mjekësore./Llapi.info