Për të përfunduar edicicionin në kohë, La Liga planifikon të organizojë ndeshje çdo ditë, madje disa edhe me fillim nga ora 23:00, gjatë verës, shkruan gazeta “AS”.

Bundesliga ka rifilluar të shtunën, ndërsa klubet në La Liga dhe Serie A do t’i kthehen stërvitjeve në grup nesër, ndërsa masat kufizuese janë zbutur pas uljes së numrit të rasteve me koronavirus.

La Liga planifikon të rifillojë më 13 qershor, ndërsa do të nxitohet të kompletohet stinori deri në fund të korrikut.

Sipas gazetës “AS” do të luhen ndeshje çdo ditë të javës dhe skuadrave do t’i lejohet së paku 72 orë pushim mes ndeshjeve.

Për shkak të nxehtësisë së madhe të verës, ndeshjet mund të fillojnë edhe në ora 23:00, që nënkupton se mund të fillojnë në njërën ditë dhe të përfundojnë në orët e hershme të ditës tjetër. Synimi është të përfundohet stinori deri më 29 korrik, që të ketë kohë për përfundimin e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës në gusht.

Protokolli mjekësor i La Ligas është i ngjashëm me modelin gjerman, kështu që nëse një lojtar apo anëtar i stafit testohet pozitiv, atëherë rastet pozitive do të izolohen dhe pjesa tjetër e skuadrës do të ritestohet.