Ishte luftë kryesisht e burrave, por pushkën po del se e kanë marrë edhe femrat, por edhe fëmijët.
Një kësi rasti si ky i fundit po del të jetë ai i Fatlum Hamitit, emri i të cilit tashmë është radhitur në listën e Veteranëve të UÇK-së të Zonës Operative të Llapit.
E ky del të jetë shkas edhe për ankesën e një veterani tjetër, Avni Ajetit që po dyshon se në përpilimin e listave pati dallavere.
“Del një fakt tjetër që në këto lista janë edhe njerëz që në kohën e luftës kanë qenë fëmijë 9 apo 10 vjeçar, që janë në listat e veteranëve, siç është djali i Hamit Hamitit, Fatlum Hamiti që ka qenë veteranë i luftës”, tha Ajeti,
Por këto akuza i hedhë poshtë ish eprori i Zonës së Llapit, Hamit Hamiti, ky i tha Klan Kosovës nëpërmjet telefonit se Fatlumi ka shkuar në luftë pa lejen e tij dhe ka shërbyer në Zonën e Shalës, Por i pyetur se si është e mundur që emri i tij tani gjendet në Listën e veteranëve të Llapit, ai tha se për këtë duhet pyetur komandantët.
Por, Ajeti nuk ndalet me kaq, ai akuzon edhe të tjerë. “Fadil Lepaja që gjatë luftës ka qenë në Zvicër”, thotë Ajeti, por edhe Lepaja u përmbajt të komentojë këto akuza. Ai ndonëse pranoi se gjatë luftës ka qenë jashtë vendit, tha se do ta pranojë çdo vendim të komisionit për verifikim të listave.
Për të gjitha këto kritika që po bëhen për parregullsi, anëtari i komisionit Xhavit Jashari pranoi se ka lëshime, por paralajmëroi masa ligjore për fajtorët.
“Janë pjesë e ligjit, por në qoftëse një komandant ose vartësit e komandantit kanë nënshkrua për një person që nuk ka qenë pjesë e luftës automatikisht duhet të përgjigjet para drejtësisë”, tha Jashari.
Klan Kosova ka kontaktuar edhe komandantin e kësaj zone Rrustem Mustafa për të marrë një koment për të gjitha këto akuza, por ai nëpërmjet telefonit tha se nuk donë të komentojë.
Zona e Llapit sipas listës së publikuar po del se i ka 701 veteranë të luftës.