Fshati Llapashticë është një nga fshatrat e Komunës së Podujevës, ku tash e disa muaj janë vendosur shtyllat e betonit të përçuesve elektrik. Por, ndonëse ka kohë që janë vendosur, ato ende nuk janë funksionalizuar, ndërsa përçuesit elektrik vazhdojnë të jenë të vendosur në shtylla nga druri.
Disa nga banorët e këtij fshati janë ankuar duke thënë se këto shtylla tashmë janë të vjetëruara dhe në ditët me reshje të dëndura të shiut rrezikojnë jetën e qytetarëve.

Shtylla elektrike1

I pyetur se pse akoma nuk janë funksionalizuar këto shtylla të cilat janë vendosur me muaj të tërë, Zëdhënsi i KEDS-it,Guri Shkodra, përmes emailit ka thënë se të reshurat e ditëve të fundit kanë shkaktuar prishje të rrjetit elektrik, dhe se të gjitha ekipet ishin të koncentruara në sanimin dhe rregullimin e këtyre prishjeve për të siguruar furnizim të rregullt për konsumatorë.

Ne jemi përgjigjur duke i thënë se këto shtylla janë vendosur shumë muaj më parë, ndërsa reshjet kanë qenë tash vonë, por Shkodra ka dhënë prapë të njëjtën përgjigje. Poashtu, Shkodra dy herë radhazi është pyetur se kur saktësisht do të merret ndonjë gjë në këtë drejtim, por ai edhe për këtë ka dhënë dy herë të njëjtën përgjigje, duke thënë se shpejti, pa qartësuar se a është mendur të ndërmerret ndonjë gjë në këtë drejtim.

“Ne jemi të lumtur që është bërë zëvendësimi i shtyllave dhe vendosja e shtyllave të reja dhe kjo nënkupton që edhe rrjeti shumë shpejtë do të transferohet” ka thënë Shkodra.

Me tej Shkodra ka thënë se problemet në rrjet janë të shumta dhe se nuk është e mundur që të gjitha të rregullohen në afat të shkurtë kohor.

“Ne kemi intensifikuar planin e investimeve si dhe aktivitetet e mirëmbajtjes me qëllim që të gjitha problemet të rregullohen por prapë për rregullimin e të gjithave nevojitet pak më shumë kohë dhe investimi bëhet sipas prioriteteve” ka shtuar Shkodra./Llapi.info