Sot rreth orës 10:30, pas pranimit të një informacioni se në fshatin e quajtur “Llugë” të Komunës së Podujevës, në një pronë private, një i dyshuar kishte kultivuar bimë narkotike të llojit ‘kanabis sativa’, njësitet policore kanë dalë në terren.

Hetuesit policorë kanë identifikuar lokacionin e dyshuar në fshat, ku vëreheshin dy serra në të cilat kishte të mbjella bimë të dyshuara narkotike të llojit ‘Kanabis Sativa’.

Hetuesit menjëherë së bashku me një patrullë të stacionit policor të Podujevës e kanë siguruar vendin e ngjarjes, e kanë kontaktuar pronarin e shtëpisë dhe pronës, A. Q. dhe me të pyetur për bimët narkotike dhe pronësinë e pronës në të cilën ishin të mbjella, i njëjti deklaron se janë pronë e tij dhe janë të mbjella nga vetë i dyshuari.

Vend-shikimin e ka kryer njësia e krim-teknikës Rajonale në Prishtinë e cila ka bërë fotografimin, incizimin dhe dokumentimin e vendit të ngjarjes.

1

Gjatë kontrollit të njësive policore tek i dyshuari janë gjetur: 986 bimë narkotike të llojit ‘Kanabis Sativa’ të madhësive të ndryshme prej 2 metra deri në 2.60 metra; një armë revole model ‘Zastava’ 6.35 me tetë fishekë të kalibrit 8mm të së njëjtës armë, dhe një fishek i pushkës së gjuetisë të cilat i dyshuari i mbante pa leje.

Menjëherë është informuar prokurori i Prokurorisë Themelore dhe me urdhër të të njëjtit, të gjitha bimët janë nxjerrë nga serat dhe pas marrjes se mostrave përkatëse sipas procedurave standarde për këto raste të njëjtat janë shkatërruar në vendin e ngjarjes.

I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në qendrën e mbajtjes./Koha.net