Kryetari i Komunës së Podujevës Agim Veliu, priti në një takim Prenk Gjetajn – kryetar i Komisionit qeveritar për personat e zhdukur, njofton Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim e Komunës së Podujevës, përcjell Llapi.info.

Në këtë takim u diskutua për format e bashkëpunimit në mes të Komunës së Podujevës dhe Komisionit për shënimin e ditës së personave të zhdukur, e cila shënohet më 27 prill.

Veliu shprehu vullnetin dhe përkushtimin e plotë për të bashkëpunuar me komisionin qeveritar për organizimin e kësaj dite. Ai u zotua për të ofruar ndihmë për gjetjen e një lokacioni të përshtatshëm për vendosjen e një pllake, e cila do të shënojë vendin ku janë pranuar mbetjet mortore të të zhdukurve.

Gjithashtu, Veliu kërkoi informacione shtesë për ndërmarrjen e hapave të duhur nga institucionet komunale, me qëllim të përmbushjes së përgjegjësive të marra, duke pasur për bazë ndjeshmërinë e kategorisë për të cilën po bisedohet.

Ndërsa, Kryetari i komisionit qeveritar për personat e zhdukur, Prenk Gjetaj, falënderoi kryetarin Veliu për pritjen dhe për angazhimin me qëllim të shënimit të kësaj dite. Ai shprehu gatishmërinë për koordinimit sa më efikas të veprimeve, me qëllim të plotësimit të procedurave për vendosjen e një pllake në vendin e pritjes në Merdar.

Në takimin e Veliut me Prenk Gjetajn, ishin të pranishëm edhe nënkryetari i Komunës Nexhmi Rudari, drejtori për Gjeodezi dhe Kadastër Abaz Llugaliu dhe zyrtari komunal për persona të pagjetur Latif Mehmeti.

Përfaqësuesit e Komunës dhe anëtarët e Komisionit qeveritar për personat e zhdukur u dakorduan edhe për takime të tjera koordinuese me qëllim të përgatitjeve për organizimin e shënimit të 27 prillit – Ditës së personave të pagjetur./Llapi.info