Prej nesër, ditë e hënë (17 shtator), çdo qytetar do të paguajë tarifë prej 5 euro nëse udhëton nga “Rruga e Kombit”. Kjo shumë, edhe pse hyn nesër në fuqi, vazhdon të kundërshtohet pasi thuhet të jetë tepër e madhe.
Në fakt, 5 euro do të paguajnë ata që udhëtojnë me vetura, për kamionë e autobusë me peshë të vogël është 11.2 euro, kamionë me peshë të mesme 16.2 euro e kamionë të rëndë 22.5 euro.
Argjend Zejnaj, Shef i Kabinetit të Ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekajt, në një përgjigje elektronike për Koha.net, tha se kjo ministri është angazhuar që të bëjë të mundur një diskutim me autoritetet shqiptare për të parë mundësinë e një zgjidhjeje më të lehtë dhe çmim më të pranueshëm për qytetarët dhe bizneset në Kosovë.
Kujtojmë se çështja e taksës për “Rrugën e Kombit” e vendosur nga Qeveria e Shqipërisë, ndonëse me vonesë, do të diskutohet në mbledhjen e pestë të përbashkët mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, e cila pritet të mbahet në nëntor të këtij viti në Pejë, raporton Koha.net.
Ndërkaq po këtë ditë kur kjo tarifë të hyjë në fuqi, pra nesër, në orën 11:00, banorët e Kukësit do të dalin sërish në protestë për ta kundërshtuar.
Këto zhvillime, madje edhe protestat e fundit që eskaluan, Zejnaj thotë se nuk ishin dhe s’janë zgjidhje e duhur.
“Kjo bën që të mos implementohet vendimi në fjalë për një kohë, sidomos për këtë sezon, tani kur jemi para rifillimit të implementimit të këtij vendimi, i cili për mendimin tonë, çmimi vazhdon të jetë i lartë, dhe konsiderojmë që do të duhej të gjendej një zgjidhje më praktike dhe një çmim më i pranueshëm, por sidoqoftë, mbetet nën autoritetin e institucioneve të shtetit shqiptar”, ka thënë ai për Koha.net.
Shqetësim me këtë vendim, kohët e fundit është ngritur sidomos nga bizneset që shfrytëzojnë “Rrugën e Kombit” për transport të derivateve, mallrave dhe agjencitë e udhëtimit.
Zejnaj dhe se MI-ja, do ta theksojë faktin se çmimi është i lartë, nëse bazohen në fuqinë ekonomike të qytetarëve por edhe të bizneseve.
Ditë më parë, edhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës e konsideruan të lartë çmimin për taksën rrugore dhe thanë se për këtë vendim, autoritet shqiptare nuk janë konsultuar me autoritet në Prishtinë.
Autostrada “Rruga e Kombit”, që lidh Shqipërinë me Kosovën ishte lëshuar në qarkullim në vitin 2009.