Ndër projektet me prioritet infrastrukturor për implementim në këtë vit ishte autostrada “Arbër Xhaferi”, rruga Prishtinë-Mitrovicë dhe rruga e Prishtinë-Pejë, e cila do të vazhdojë së ndërtuari edhe në vitin 2016.

Kështu tha ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku në konferencën për media të fundvitit, ku prezantoi raportin vjetor për të arriturat e kësaj Ministrie në vitin 2015.

Gjatë këtij viti, shprehur në mënyrë fizike, trajtimi me asfalt i rrugëve nacionale ishte në gjatësi prej 35 kilometra, rrugët rajonale 21 km dhe projektet në bashkëfinancim prej 81 km, transmeton kp. Prej projekteve të reja për vitin 2016, është zgjerimi i rrugës Prishtinë-Podujevë dhe Prishtinë-Gjilan.

Zharku tha se kjo Ministri po e përmbyll vitin 2015 me shumë projekte të përfunduara dhe të filluara që do të vazhdojnë edhe vitet e ardhshme.

Prej Buxhetit të tërësishëm prej 175.5 milionë euro, për shpenzime kapitale kanë qenë të parapara 131 milionë euro të cilat janë shpenzuar në tërësi.
Ai tha se në kuadër të procesit të Berlinit dhe forumit WB6 është përcaktuar rrjeti bazë i transportit panevropian si zgjerim në Evropën Juglindore. Si pjesë e kësaj janë konkretizuar dhe kanë marrë obligimet për financim. Zharku tha se pjesë e bazës për zgjerim në Evropën Juglindore është rruga Morinë – Merdare përkatësisht autostrada “Ibrahim Rugova”, rruga Prishtinë-Shkup, linja hekurudhore Hani i Elezit – Leshak (korridori X) dhe aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari”.
Duke folur për projektet prioritare që ishin për këtë vit, ai dhe se ndër ato që do të mbesin edhe për vitin 2016, është autostrada Prishtinë-Shkup.
Për ministrin Zharku, ndër projektet me rëndësi dhe me prio ritet mbetet edhe rruga Prishtinë – Mitrovicë, për të cilën tha se do të vazhdohet ndërtimi i kësaj rruge nga Lumi i Madh deri në Mitrovicë, e cila është me gjatësi prej 27 kilometrash, dhe me një kosto prej 50 milionë euro.

Ai tha se segment tjetër me rëndësi mbetet rruga Prishtinë-Pejë, ku është përfunduar segmenti i plotë Gjurgjicë deri në Kijevë. Sipas tij, përpos segmentit të parë që është Gjurgjicë deri në Lozicë që ka mbetur te nënkalimi apo zgjerimi i rrugës, pa u kryer për shkak të kufizimeve buxhetore si dhe problemeve të ndryshme pronësore. Zharku tha se gjithë ky segment me 8.75 kilometra merr një kosto 15.3 milionë euro, e që pritet definitivisht të përfundohet në vitin 2016.

Segmenti tjetër Kijevë-Zahaq, në gjatësi prej 32 km, besohet se do të financohet nga ana e BERZH me një shumë prej 70-80 milionë euro. Pritet që në pjesën e dytë të vitit 2016 do të fillohet me realizimin e projektit.

Ministri Zharku tha se është në hartim e sipër projekti për zgjerimin e rrugës nga rreth-rrotullimi në Besi deri në Podujevë me katër shirita qarkullues me gjatësi 20 kilometra, i cili pritet të përfundojë deri në maj të vitit të ardhshëm. Me buxhetin e vitit 2016 është përfshirë fillimi i punimeve në segmentin e parë nga Podujeva në vlerë prej 1.5 milionë euro.

Ministri i Infrastrukturës ndër sukseset ka numëruar edhe projektin e autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, për të cilin tha se kompania projektuese ka dorëzuar projektin preliminar të autostradës, kurse projekti zbatues pritet të përfundojë në gjysmën e parë të vitit 2016.