“Inivciativa Vullnetare RB” në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Stacioni në Podujevë, kanë organizuar sot një aktivitet simbolik me rastin e 20 Nëntorit, Ditës Botërore për Përkujtimin e Viktimave të Trafikut Rrugor. Këtë e ka bërë të ditur udhëheqësi i Iniviativës, Reshat Blakqori, njofton Llapi.info.
Sipas Blakqorit ky aktivitet do të fillojë në orën 13:00 dhe do të zhvillohet në tri lokacione.
“Aktiviteti simbolik që përkon me rastin e 20 Nëntorit, Ditës Botërore të Përkujtimit të Viktimave të Trafikut Rrugor do të zhvillohet në tri lokacione duke filluar nga ora 13:00. Njëri lokacion do të jetë në magjistralen Podujevë- Prishtinë, tjetri në rrugën “Zahir Pajazit” dhe lokacioni i tretë në rrugën Podujevë- Kerpimeh”, tha Blakqori për Llapi.info.
Më tutje, Blakqori tha se qëllimi kryesor i këtij aktiviteti është ofrimi i disa rekomandimeve për të përmirësuar qarkullimin në trafik.
“Në këtë aktivitet do të shpërndahen fletushka me përmbajtje vetëdijesuese si dhe do të ofrohen rekomandime për të përmirësuar qarkullimin në trafik”, shtoi Blakqori.
Përveq rekomandimeve, në këto fletushka bëhet thirrje që të ndihmohet Policia e Kosovës dhe të vetëdijesohen qytetarët që të zvogëlohet numri i aksidenteve në trafik të cilat shpesh po rezultojnë me viktima në njerëz.
Kujtojmë që vetëm këtë vit 96 persona kanë ndërruar jetë në rrugët e Kosovës./Llapi.info