Drejtoria Komunale e Arsimit, e Komunës së Podujevës ka organizuar një manifestim për nder të festës së 7 Marsit, i cili është mbajtur sot në sallën e Teatrit “Avdush Hasani” në Podujevë.
Në emër të Kryetarit të Komunës së Podujevës në këtë manifestim foli Nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari i cili ka uruar mësimdhënësit për festën e tyre dhe ka përkujtuar se komuna e Podujevës sot ka një armatë të tërë nxënësish në të tri nivelet e shkollimit, përkatësisht rreth 22,000 nxënës në 67 objekte shkollore dhe mbi 1,450 punëtorë në 41 shkolla amë.
Rudari foli edhe për sakrificat që ka pasur shkolla shqipe në kohën e regjimit serb.
“Në Kosovë barrën më të rëndë në dy dekadat e fundit e bartën punonjësit e arsimit të të gjitha niveleve. Edhe pse regjimi serb mbylli shkollat shqipe në Kosovë, populli hapi dyert e shtëpive të veta që fëmijët të mësonin në gjuhën amtare. Shumë mësues u dënuan dhe u gjykuan nga regjimi serb, por asgjë nuk e ndalte shkollën shqipe në rrugën e diturisë e të arsimimit në gjuhën amtare. Arsimi në Kosovë i dha shumë mësues luftës për lirinë e Kosovës”, tha ndër të tjera Rudari.
Ky manifesim përpos fjalimeve u shoqërua edhe me një program artistik nxënësit e shkollave të qytetit dhe grupi i Shkollës së Kitarës “Mirela”.
Përveq kësaj Nënkryetari Rudari dhe Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Avni Maloku, shpërndanë mirënjohje dhe dhurata për mësimdhënësit veteranë dhe mësimdhënësit e dalluar të shkollave fillore dhe të mesme./Llapi.info