Pak fletëparaqitje janë shqiptuar nga inspektorët komunalë të Podujevës për shkelësit e Ligjit për kontrollin e duhanit, që prej kur ka hyrë në fuqi, më 2013, shkruan sot Koha Ditore.

Janë vetëm 3 të tilla të shqiptuara në vitin e kaluar (edhe pse zbatueshmëria në lokalet private është zero në këtë komunë). Të tria ishin bërë po të njëjtën ditë (më 4 shkurt) në një lokal në qendër të Podujevës, jo larg objektit të Gjykatës Themelore të Prishtinës-Dega në Podujevë.

Por as ato fletëparaqitje (dy prej tyre) nuk janë shndërruar në gjoba, pasi dy prej shkelësve të Ligjit për kontrollin e duhanit ishin praktikante të së njëjtës gjykatë. Kjo e fundit kishte kërkuar nga inspektorët komunalë të Podujevës edhe numrat e shtëpive të të pandehurave, edhe pse ato ishin të punësuara në atë institucion dhe po ashtu i përkisnin komunave të tjera.

Drejtoresha e Inspektoratit në Podujevë, Florie Abazi-Besholli, që në atë kohë ishte inspektore sanitare, thotë se ka qenë problem gjetja e numrave të shtëpive, pasi njëra nga praktikantet ishte nga një fshat i Pejës.
(Më gjerësisht lexoni sot në Koha Ditore).