Komuna e Podujevës është cilësuar si komuna e cila më së paku e respekton ligjin kundër pirjes së duhanit në hapësira publike. Madje, një gjë e tillë mund të vërtetohet në kafiterit e këtij qyteti.
Por, Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Podujevës, Hamdi Jaha, e ka quajtur këtë një lloj propaganda e cila është bërë kundër komunës, sepse sipas tij nuk është Podujeva e vetmja e cila e shkel këtë ligj.
“Kjo është një propagandë kundër komunës, sepse edhe në Prishtinë mund të gjesh përplot kafiteri ku pihet duhani, e jo vetëm në Podujevë”, ka thënë Jaha.
Ai poashtu ka theksuar se personat të cilët zihen duke pirë duhan në vende publike gjobiten.
“Ne kemi marrë aksione me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, ku kemi kontrolluar mbi 10 lokale dhe nuk është gjetur asnjë person i cili ka pirë duhan. Ndërsa, pak ditë më parë në Restorantin “Marigona” kemi gjetur tre duhanpirës të cilët janë dërguar në gjykatë dhe po përballen me procese gjyqësore”, ka shtuar ndër të tjeash Jaha .
Ndërkohë, ligji kundër pirjes se duhanit në hapësira publike, përveç që shkilet në kafiterit e qytetit të Podujevës, ky ligj nuk respektohet as nga shoferët e transportit publik të këtij qyteti.
Ligji për Kontrollin e Duhanit u miratua më 4 prill 2014 në Kuvendin e Kosovës, me 71 vota për dhe dy abstenime. Ky ligj thekson se ndalohet pirtja e duhanit në hapësira publike, hapësira të punës, mjetet e transportit publik dhe në disa hapësira të hapura të përcaktuara, sipas këtij ligji./llapi.info