Në Kuvendin komunal të Podujevës sot është mbajtur takimi publik me qytetarë dhe kryetarë të komiteteve të fshatrave të Podujevës.

Takimi ishte i thirrur nga kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, i cili nuk ishte prezent në takim. Por, në vend të tij, ishte nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari.

Në takim drejtorët e drejtorive komunale treguan për projektet e realizuara dhe ato të cilat janë në proces të realizimit.

Faik Muçiqi, drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Komunën e Podujevës, tha se buxheti i përgjithshëm për këtë vit ka qenë 1.508.905 euro dhe infrastruktura ka qenë në kanalizime, trotuare dhe ura.

“10.3 km kanalizime janë përfunduar, 5.400 metra trotuare janë në proces të punimeve, kanalizime fekale 17.5 km dhe 19.3 km zgjerim të lumenjëve. Jemi në procedur të tenderimit për zgjerimin e shtratit të lumenjëve në dy segmente: nga Bollopoja në Halabag me 6.5 km dhe nga Bollopoja, Halabaku dhe Gërdovci me 12 km”, ka thënë Muçiqi. Ai ka treguar për lagjet në të cilat janë realizuar këto punime.

Ndërsa, Durim Salihu, drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit, ka treguar ndër të tjerash për projektet 2-vjeçare në fshatrat si: Shtedim, Livadicë, Konushefc, Lladofc, Batllavë, Dumosh, Letancë, Katunishtë, si dhe për tri projekte kapitale për asfaltimin e rrugëve në disa lagje të fshatit Shajkofc, Lupq dhe Dumnicë e Poshtme.

Për projektet e realizuara dhe ato që priten të realizohen kanë folur edhe Agron Hyseni, drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, si dhe Nexhmi Rudari, ish-drejtor i Drejtorisë së Arsimit, i cili tregoi se në vitin 2016 pritet ndërtimi i shkollës në Bajçinë dhe Halabak, kjo pasi Ministria e Arsimit ka premtuar një gjë të tillë.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e fshatrave treguan për problemet e tyre me të cilat ata ballafaqohen.

Faik Kajtazi, përfaqësues i fshatit Pakashticë e Poshtme, ka treguar për projektin e asfaltimit të rrugës në vitin 2014, por, për shkak të rritjes se pagave të arsimtarëve, disa mjete janë marrë dhe janë dërguar në pjesën e asfaltimit të rrugës në Pakashticën e Epërme.

Ndërsa, Ramadan Demaj, përfaqësues i fshatit Penuh, ka thënë se kanë paguar 2.840 euro për kanalizim, por ka probleme me atë kanalizim, sepse siç ka thënë Demaj diku është 6 metra, dikur 50 cm, si dhe disa shtëpi nuk janë përfshi fare.

Isuf Latifi, drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Komunën e Podujevës, ka treguar për të hyrat vetanake të komunës si dhe grantet qeveritare.

Të hyra vetanake:
Për vitin 2016, 1,710,000.00 euro,
Për vitin 2017, 1,810,000.00 euro, dhe
Për vitin 2018, 1,910,000.00 euro.

Ndërsa, grantet qeveritare:
Për vitin 2016 do të jenë 16,736.798 .00 euro,
Për vitin 2017, 16,912,191.00 euro dhe
Për vitin 2018, 17,559,461.00 euro. /Llapi.info