Është nënshkruar marrëveshja mes Komunës së Podujevës dhe shoqatës “Jetimat e Ballkanit” për ndërtimin e 10 shtëpive për familjet me gjendje të rëndë sociale në prag të muajit të Ramazanit në këtë Komunë, raporton Llapi.info.
Në një postim në Facebook, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka thënë se Komuna do të kontribuojë me nga pesë mijë euro për secilën shtëpi.
“Në prag të Muajit të shenjtë të Ramazanit, sot kemi nënshkruar marrëveshje me hoxhën e nderuar Halil Kastrati për ndërtimin e 10 shtëpive për familjet me gjendje të rëndë sociale dhe kushte të rënda të banimit. Ky projekt do të realizohet në bashkëfinancim mes Komunës së Podujevës dhe shoqatës “Jetimat e Ballkanit”. Komuna e Podujevës do të participojë me nga 5 mijë euro për secilën shtëpi, kurse shoqata do të financojë pjesën tjetër. E falënderova hoxhën për kontributin e vazhdueshëm në Komunën e Podujevës për t’ju dalë në ndihmë familjeve me gjendje të rëndë sociale. Projekte të tilla do të vazhdojnë në Komunën e Podujevës derisa t’ju bëjmë zgjidhje të banimit secilës familje. Falënderoj nga zemra të gjithë donatorët e shoqatës që po e mundësojnë realizimin e projekteve të tilla”, ka shkruar ai në Facebook.
Duhet përkujtuar se Komuna e Podujevës dhe shoqata “Jetimët e Ballkanit” kanë nëshkruar marrëveshje edhe muaj më parë për ndërtimin e disa shtëpive në këtë Komunë./Llapi.info