Zgjedhjet lokale janë afruar dhe ngutit e krerëve të komunave të Kosovës për të ndërtuar e përfunduar projekte komunale nuk po kanë të ndalur.

Kështu po ndodh edhe në komunën e Podujevës, kreu i të cilit është Agim Veliu.

Kreu i kësaj komune së bashku me drejtorin e Shërbimeve Publik, Mbrojtje dhe Shpëtim Faik Muçiqi, sot kanë dalë në teren për të inspektuar punimet e ndërtimit të trotuarit 3.5 km i cili lidh fshatin Dobërtol – Zakutë – Kërpimeh.

Ani pse që 17 vite nxënësit e këtyre tri fshatrave janë rrezikuar çdo ditë në rrugë për në shkollat e tyre, Veliu tha se tani kemi krijuar kushte më të lehta dhe më të sigurt për qytetarët dhe nxënësit.

“Me ndërtimin e këtij trotuari kemi krijuar kushtet për lëvizje më të lehtë dhe më të sigurt për qytetarët dhe veçmas për nxënësit në këtë segment të rrugës rajonale”, tha kryetari Veliu.

Më tej, Veliu u zotua se do të vazhdoi edhe ndërtimi i trotuareve nëpër lagje të qytetit dhe nëpër fshatra.

Në kuadër të planifikimeve buxhetore për këtë vit është paraparë ndërtimi i trotuareve me kubëza në lokalitete të ndryshme, në një gjatësi prej rreth 13 km.