Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se janë pesë raste kur mjekët janë suspenduar pasi nuk kanë respektuar orarin e punës.
Në këtë intervistë ai po ashtu flet edhe për përpjekjet që po bëhen për të rritur cilësinë e shërbimeve shëndetësore.
“Varfërinë më të madhe popullata jonë e ka pasur pikërisht nga sëmundjet. Një numër i madh i patologjive nuk kanë mundur të trajtohen në institucione publike dhe me një kosto të lartë janë detyruar të trajtohen jashtë dhe ky ka qenë dëmtim i buxhetit tonë dhe i xhepit të pacientëve”, tha Sejdiu.
Cila është gjendja aktuale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, sa i përket furnizimit me barna?
Basri Sejdiu: Sa i përket furnizimit me barna gjendja është përmirësuar. Nga lista esenciale (e barnave), furnizimi është diku rreth 70 për qind dhe 50 për qind me material shpenzues, por gjithmonë duhet të përmirësohet më tepër gjendja. Disa kontratat që ka pasur Ministria e Shëndetësisë për furnizim me barna kanë qenë me afate të skaduara, të tejkaluara. Tashmë janë bërë disa ndërprerje të kontratave për shkak të buxhetit, çmimit më të lartë se ai real dhe nga gjithë kjo kemi pasur një benefit, kemi pasur përfitim sa i përket buxhetit pikërisht për shkak të ndërprerjeve të këtyre kontratave.
Mungesa e barnave i shtyn pacientët t’i blejnë vetë ato
Ka shkaktuar pak vakuum, por gjendja me furnizim me barna po shkon duke u përmirësuar. Me ndërprerjen e këtyre kontratave përfitimet në buxhet kanë qenë rreth 6 milionë euro.
A ka pasur kohëve të fundit përmirësim në cilësinë e shërbimeve shëndetësore?
Basri Sejdiu: Me ardhjen në këtë pozitë kam identifikuar prioritetet dhe ato pikat e ndjeshme në sistemin shëndetësor. Për mua ka qenë Qendra Emergjente, mjekimi intensiv, sistemi kardiovaskular si dhe shërbimet ambulatorike, ato që mendoj se ndër të tjera kanë pasur probleme të theksuara.
Tashmë veç është përuruar Qendra Emergjente, ku mund të vëreni një sistem tjetër të organizimit, me një ristrukturim komplet të ndryshuar, me blerjen e të gjitha pajisjeve të reja. Kështu që, Qendra Emergjente ka filluar me një komoditet më të madh për mjekët, stafin dhe me një siguri më të madhe për pacientët, për çka edhe mundohemi.
Mandej, sistemi i ambulancës specialistike. Aty kemi filluar së pari me ambulancat e degëve kirurgjike, siç është ortopedia me fizioterapi dhe mandej me pjesë të tjera të klinikave interne. Aty dukshëm vërehet një shërbim më cilësor. Po e marr shembull ortopedinë, ku nga 70 pacientë të vizituar më herët, tani vizitohen 200 në kushte më të mira. Gjithashtu kanë në dispozicion edhe pajisjet e reja dhe nëse e marrim krahasimin e cilësisë, mund të themi se është një parametër që vërehet edhe nga aspekti mikroskopik dhe jo vetëm në analizë. Mund të shihni edhe pacientët të cilët janë të kënaqur, por edhe stafit që ka një komoditet në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.
Po ashtu është edhe sistemi kardiovaskular. Aty mendoj se është një e arritur mjaft e madhe sepse fillimi i punës 24-orësh në Kardiokirurgji, ku tash i kemi dy salla kardiokirurgjike dhe dy salla të mjekimit intensiv. Gjithashtu edhe në Kardiokirurgjinë Invasive është edhe një aparat i ri . Kështu që, me dy salla në Kardiokirurgjinë Invasive dhe dy në Kardiokirurgji veç po vërehen rezultatet. Trajtimi i infarktit në orët e para, pastaj zvogëlimi i listave të pritjes – për stentim veç është hequr lista e pritjes – dhe në rrugë të mirë jemi që lista e pritjes të hiqet edhe për në koronografi dhe Kardiokirurgji. Në Kardiokirurgji tani bëhen të gjitha operacionet, duke llogaritur edhe ato më të rëndat, ku njëherë kemi pasur rast të disekacion të aortës, vlera ka qenë 28 mijë euro në institucion privat dhe në QKUK është kryer falas. Do të thotë, ai është një parametër që aty kryhet një operacion i vështirë, e rrjedhimisht kryhen edhe operacione të tjera.
E kemi në plan-projekt që jemi duke e zhvilluar edhe në nivel nacional, trajtimin e infarktit në dy orët e para. Besoj se do ta realizojmë në muajt në vijim dhe ky do të jetë përfitim shumë i madh për pacientët, do të trajtohen në dy orët e para pavarësisht se ku janë, në çdo cep të Kosovës. Do të thotë, posa të identifikohet infarkti do të anashkalohen të gjitha rrugët administrative dhe vonesat dhe (pacienti) do të sillet direkt në sallë. Kjo ka shumë të mira, do të shpëtohen më shumë jetë. Por, do të zvogëlohet gjithashtu edhe invaliditeti sepse trajtimi në orët e para do të thotë edhe zvogëlim të invaliditetit.
Sa i përket përmirësimit të shërbimeve, në të gjitha klinikat jemi duke bërë investime, por edhe riorganizime. Shembull, kemi në kirurgjinë vaskulare një sallë, jemi duke u munduar që ta bëjmë edhe një sallë tjetër, njëjtë në neurokirurgji, në ortopedi gjithashtu sallën e katërt jemi duke e përgatitur. Tendenca jonë është që të gjitha patologjitë të trajtohen brenda institucioneve tona publike, që pacientët të kenë më shumë lehtësira, të mos harxhojnë nga xhepi. Këtu dua të ndërlidhem dhe të them se varfërinë më të madhe popullata jonë e ka pasur pikërisht nga sëmundjet. Një numër i madh i patologjive nuk kanë mundur të trajtohen në institucione publike dhe me një kosto të lartë janë detyruar të trajtohen jashtë dhe ky ka qenë dëmtim i buxhetit tonë dhe i xhepit të pacientëve.
Sa ka mungesë të kuadrit specialist mjekësor?
Basri Sejdiu: Fat ka qenë që kemi hasur në mirëkuptim edhe nga Qeveria edhe nga Ministria e Financave që na kanë lejuar një numër të konsiderueshëm për t’i punësuar, ku janë punësuar 100 mjekë specialistë dhe 250 infermierë dhe kemi kërkuar që edhe më tej ta rrisim numrin e stafit.
Kemi llogaritur se shërbimet cilësore arrihen pikërisht me staf të mjaftueshëm dhe e mira tjetër është që të rritet punësimi dhe të mos migrojnë jashtë vendit mjekë e infermierë.
Gjatë këtyre katër viteve të fundit, është vërejtur ikje e stafit shëndetësor nga Kosova për në vendet e BE-së. Si mund të parandalohet ky fenomen dhe të ruani stafin profesional në Kosovë?
Basri Sejdiu: Ka strategji dhe është një politikë shëndetësore dhe jemi në një rrugë të përbashkët me Qeverinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë që të krijohen kushte më të mira të punës. Këtë vit kemi blerë 3.5 milionë euro pajisje të reja dhe çka është shumë e rëndësishme është motivimi i stafit për punë. Me një kontratë kolektive sektoriale, shuma gjatë kujdestarive është ngritur dukshëm dhe një mjekë do të kushtojë për një kujdestari 170 euro. Si dhe ngritja e pagave që na është premtuar shumë që me Ligjin e pagave do të rriten pagat për mjekë e infermierë. Mendoj se kjo është motivim dhe kombinimi i të gjithave, mendoj se do të jetë i mjaftueshëm që stafi të rrijë në Kosovë.
A do të ketë ngritje pagash për punonjësit shëndetësorë, dhe a do të ketë kategorizime në paga?
Basri Sejdiu: Do të ketë kategorizim pagash. Ne kemi bërë një grup punues për sistematizim të vendeve të punës, si dhe rrezikshmëria në punë do të paguhet më mirë. Shihet një dritë e gjelbër se do të ketë përmirësim, por ajo që do të ndikojë dukshëm pozitivisht janë sigurimet shëndetësore, e që në bazë të performancës do të rritet edhe pagesa.
Me çështjen e pagave më shumë është marrë Sindikata e Shëndetësisë, por ne kemi informata se pagat me rritje do të jenë të pranueshme për stafin shëndetësor.
A ka donacione Qendra Klinike Universitare e Kosovës dhe sa janë të rëndësishme për shëndetësinë?
Basri Sejdiu: Donacionet gjithmonë kanë qenë të mirëseardhura dhe shumë na ndihmojnë. Kemi donacione të forma të ndryshme si barna material shpenzues, ndërtim të objekteve. Njëra nga to është Kirurgjia Pediatrike që është donacion prej 22 milionë euro, si më e madhja ndonjëherë. Pra, çdo lloj donacioni është i mirëseardhur dhe i ndihmon shëndetësisë kosovare në masë të madhe.
Kohëve të fundit janë bërë disa inspektime dhe janë marrë masa për mjekët që nuk respektojnë orarin e punës. A mund të na shpjegoni për çfarë masash bëhet fjalë?
Basri Sejdiu: Në sistemin shëndetësorë është i domosdoshëm respektimi i orarit të punës. Anarkia në sistemin shëndetësorë do të thotë rrezikim i drejtpërdrejt i jetës së pacientit Me digjitalizim, pra me kartela vajtje-ardhje po përcjelljet orari i stafit. Kontrata e specifikon respektimin e orarit, e sidomos atë të kujdestarisë. Mendoj se mjeku kujdestar asnjë çast nuk guxon ta lëshojë vendin e punës. Por, ankesat nga pacientët i kemi marrë zakonisht në orarin e kujdestarisë. Kemi inspektuar gjatë natës dhe kemi konstatuar disa raste kur mjeku në atë kohë ka qenë në spital privat duke operuar. Kjo mendoj është e patolerueshme. Prej kur kemi filluar inspektimet kanë qenë pesë raste që nuk janë gjetur në vendin e punës gjatë ndërrimit të natës.
Janë marrë masat më të buta, vetëm suspendim, por ne do të vazhdojmë të inspektojmë dhe do të jemi të rreptë në këtë aspekt. Orari duhet respektohet.