Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, mori pjesë në manifestimin “Dita e Promovimit të Specit” në Sfeçël të Podujevës, i cili u organizua nga programi i USAID-it Zhvillimi Bujqësor dhe Mundësitë Rurale (AGRO) dhe kompania “Albini” në Sfeçël, njofton kumtesa komunale, përcjell Llapi.info.

Në këtë manifestim, përveç  Veliu, ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i USAID-it, Mark Wood, drejtori i Drejtorisë për Bujqësi Pylltari dhe Zhvillim Rural, Avni Fetahu dhe përfaqësues të tjerë të USAID-it dhe fermerë.

Me këtë rast Veliu tha se ndjehet i nderuar që gjendet në manifestimin “Dita e Promovimit të Specit”, i cili është përkrahur nga Zhvillimi Bujqësor dhe Mundësitë Rurale i USAID-it.

“Kultivimi i specit në fshatin Sfeçël ka një traditë të gjatë. Prandaj më vjen mirë që me përkrahjen e programit të USAID-it keni hyrë në prodhim më të avancuar, duke përdorur metodat më të avancuara shkencore dhe teknologjike për mbjellje dhe kultivimin e kësaj kulture. Komuna do të vazhdojë të përkrahë dhe subvencionojë fermerët e komunës sonë, në kultivimin edhe të kulturave të tjera bujqësore”, ka thënë Veliu.

Veliu përgëzoi pronarin e kompanisë “Albini” për sukseset e arritura në kultivimin, grumbullimin dhe ruajtjen e perimeve. Kryetari Veliu falënderoi edhe USAID-in për bashkëpunimin me Komunën dhe përkrahjen e vazhdueshme të fermerëve llapjanë.

Përfaqësuesi i USAID-it, Mark Wood, tha se programi Zhvillimi Bujqësor dhe Mundësitë Rurale i USAID-it do të vazhdojë përkrahjen për fermerët llapjanë dhe bashkëpunimin me Komunën.

“Falënderoj edhe Komunën për mbështetjen që po i jep sektorit të bujqësisë me subvencionimin e fermerëve”, ka thënë Wood.

Pronari i kompanisë “Albini” për grumbullimin dhe ruajtjen e perimeve, Bekim Vokrri përfitues nga programi i USAID-it, tha se do të vazhdojë me avancimin e teknologjisë në kultivimin e specit.

Me rastin e shënimit të Ditës së Promovimit të Specit, kompania “Albini” prezantoi edhe dy pajisje të avancuara për mbjelljen e specit, të përfituara nga programi Zhvillimi Bujqësor dhe Mundësitë Rurale i USAID-it.

13466557_1716737068575996_7415308339062515721_n