Sot në shkollat e Komunës së Malishevës, ka filluar fushata e mbajtjes së ligjëratave për vetëdijesimin e nxënësve, për kujdesin nga kontakti me rriqra
Nxënësit, po ashtu, janë informuar se si duhet të veprojnë në rast të thumbimeve.
Mbajtja e këtyre ligjëratave mbahet në kuadër të zbatimit të strategjisë nacionale për luftimin dhe parandalimin e Etheve Hemorragjike Krime Kongo (EHKK).
Komuna e Malishevës ka njoftuar se ligjëratat nëpër shkolla janë duke i mbajtur mjekët dhe personelin shëndetësor nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Malishevë.
Ligjëratat do të mbahen në të gjitha shkollat e Komunës së Malishevës, pasi kjo është prej masave për luftimin dhe parandalimin e EHKK, sepse në mënyrë të veçantë, fëmijët vetëdijesohen se si duhet të veprojnë në rast të thumbimit nga rriqrat, por edhe se si ti shmangen kontaktit me rriqra.
Mbajtjen e ligjëratave të sotshme në shkollën fillore “Hilmi Hoti” në Carrallukë, e kanë përcjellë nga afër edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha dhe drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Liridon Hoti.
Nënkryetari Berisha, gjatë komunikimit me nxënësit e kësaj shkolle, është ndarë i kënaqur me nivelin e njohurive që kanë marrë nxënësit gjatë ligjëratës.