Nuk kanë qëndruar asnjë ditë me ushtarët e UÇK-së, por atyre u është dhënë titulli i njëjtë nga Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit të UÇK-së, apo të internuarit të UÇK-së, shkruan Koha Ditore.
Persona të paqenë ushtarë të UÇK-së janë shpallur veteranë e invalidë në listën preliminare të këtij komisioni. Në mesin e tyre ka edhe persona të njohur të biznesit e partive politike.
Disa kanë marrë edhe dy statuse, që është në kundërshtim me Ligjin nr. 04/L -261 për veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dallavere të mëdha janë bërë në këtë listë.
“Koha Ditore” ka siguruar listën e ZOLL-it që ishte përgatitur pas luftës. Pak persona e kishin një të tillë. Aty figurojnë 2 mijë e 292 veteranë, 181 të plagosur dhe 42 të lënduar të UÇK-së. Sot ky numër është shumë më i madh. Lista preliminare që ka publikuar Komisioni qeveritar përmban 2.357 veteranë dhe 913 invalidë, që përfshin edhe të lënduarit.
Ish-ushtarë të UÇK-së kanë thënë se rreth 500 invalidë dhe 589 veteranë kanë hyrë pa meritë në listën e shpallur nga Komisioni qeveritar.
Vetëm në Komandë statusi i dëshmorit u është njohur 43 vetave, aq sa ishte stafi i saj. Në listën që ka siguruar “Koha Ditore” figurojnë vetëm 7 persona të vrarë nga 43 veta sa i kishte stafi i Komandës.