Ministria e Mbrojtjes e Rebulikës së Kosovës ka njoftuar se oficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, nënkolonel Bexhet Shala falë “intervenimit të shpejtë dhe vetëmohues” ka shpëtuar nënën dhe vajzën e saj nga mbytja në detin e Shëngjinit, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas Ministrisë, nënkolonel Shala kishte shkuar për pushime me familjen tij teksa gjatë momentit kritik kishte vërejtur lëvizje jo normale të një grua nga Kosova, F.Berisha dhe vajza e saj, R.Berisha.

“Në momentin kritik, nënkolonel Shala ka vërejtur lëvizje jo normale të dy personave që ishin në ujë, me një distancë prej rreth 70 metrash, ku ka konstatuar se ato po luftonin me jetën.

Intervenimin pa mëdyshje për shpëtimin e dy personave, nënkolonel Shala e ka bërë falë shkathtësive dhe aftësive të tija personale dhe profesionalë, përvojës së tij gjatë luftës në Kosovë si dhe leksioneve të shumta për vigjilencën në situata të ndryshme, si në luftë ashtu edhe në kohë paqe”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Ndërsa, vetë koloneli ka thënë se kjo është detyra e minisoni i ushtarakëve, pa dallim.

“Unë kam bërë vetëm detyrën. Ne si ushtarakë të FSK-së, e kemi mision që çdo herë të jemi në gatishmëri për tu përgjigjur situatave që kërkohen që të jemi të gatshëm të ndihmojmë këdo, pa dallim, deri në vetëmohim”, ka theksuar nënkolonel Bexhet Shala.

Gjithashtu bëhet e ditur se “nënkolonel Bexhet Shala ka marrë falënderime të shumta nga familja Berisha, për veprën e tij humane, në shpëtimin e jetëve të të dy familjareve të tyre”.

“Ushtarakët e FSK-së me besnikëri bartin betimin e tyre, në shërbim të popullit dhe atdheut, për mbrojtjen e tyre, duke mos kursyer as jetën!”, përfundon njoftimin Ministria e Mbrojtjes.