Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka reaguar pas konfirmimit se një qytetar i Podujevës ka rezultuar pozitiv në COVID 19, duke kërkuar nga qytetarët që të zbatojnë të gjitha udhëzimet për parandalimin e përhapjes së këtij virusi.
Deklarata e plotë e nënkryetarit Rudari:
Të dashur qytetarë,
Një qytetar i komunës sonë, pas kryerjes së analizave në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, sot ka rezultuar të jetë pozitiv në COVID 19 (Coronavirus).
Në cilësinë e nënkryetarit të Komunës, menjëherë pas marrjes së kësaj informate, kam kontaktuar zyrtarët kompetentë komunalë të shëndetësisë dhe të e nivelit qendror, për konfirmimin e rastit.
Personi i infektuar me virusin Corona është një qytetar që para pak ditësh është kthyer Italia.
Komuna e Podujevës, në përputhje me vendimin Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe rekomandimet e IKSHPK, për ndërmarrjen e masave preventive, pas shpalljes pandemi të COVID-19 (Coronavirusit), qysh javën e kaluar ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme preventive, duke bërë dezinfektimin e hapësirave publike dhe pajisjen e institucioneve shëndetësore me material mbrojtës.
Konform situatës së krijuar nga kjo pandemi edhe në komunën tonë janë duke u respektuar rekomandimet për mbylljen e të gjitha objekteve tregtare dhe restoranteve e lokaleve.
Inspektorët tanë vazhdimisht janë në teren dhe po përcjellin zbatimin e vendimeve të marra për masat parandaluese të COVID – 19
Luten qytetarët që të zbatojnë të gjitha udhëzimet për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit.
Këshilli komunal për menaxhimin dhe zbatimin e masave parandaluese dhe mbrojtëse nga COVID-19 do të mblidhet nesër në mëngjes për të analizuar situatën aktuale dhe koordinimin e aktiviteteve të mëtejme, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, duke pasur parasysh edhe vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për shpalljen e emergjencës për shëndetin publik.
Bëni kujdes, nuk ka vend për panik!
Nexhmi Rudari, nënkryetar i Komunës së Podujevës
Podujevë, 15.03. 2020