Kryetari i Komunës së Podujevës Agim Veliu, së bashku me Ministrin e Punës së Mirëqenies Sociale (PMS), Arban Abrashi, kanë nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi për vazhdimin e financimit të Projektit për ndërtimin e shtëpive sociale në Lagjen e Dëshmorëve, në fshatin Balloc të Podujevës, shkruan Llapi.info.

Me memorandumin e nënshkruar për vazhdimin e ndërtimit të shtëpive për familjet e dëshmorëve dhe atyre me gjendje të rëndë sociale, të strehuara në kontejnerët e lagjes së Dëshmorëve në Balloc të Podujevës, në vlerë prej 285,489 euro, parashihet ndërtimi edhe i 30 shtëpive të reja në këtë lagje.

Në një prononcim për medie Ministri i PMS- së, Arban Abrashi tha se përmes ndërtimit të këtyre shtëpive synojmë që të zhdukim varfërinë në tërsi duke ndërtuar kështu  30 shtëpi për ato familje në nevojë.

“Realisht janë premtime të cilat i kemi pas ne edhe kryetari që të zhdukim varfërinë në tërsi edhe kjo është në kuadër të një bashkëpunimi të cilin e kemi ne si Ministri e Punës së Mirëqenies Sociale me Komunën e Podujevës për rindërtimin e shtëpive në fshatin Balloc. Edhe sivjet d.m.th kemi reaguar me mjete të konsiderueshme financiare për këtë 6 mujorin e parë. Ne besojmë që me këto mjete do të rindërtohen diku 25 deri në 30 shtëpi dhe besoj që në rishikim ndoshta do të gjejmë edhe mjete shtesë që njëherë e përgjithmonë të hiqen kontejnerët nga ajo pjesë e qytetit” , tha Abrashi.

Fillimi i ndërtimit të këtyre shtëpive, sipas Abrashit do të bëhet brenda disa javësh.

“Po ne tani me memorandum të mirëkuptimit i kemi bartë procedurat në Komunën e Podujevës dhe besoj që komuna shumë shpejt do të filloj procedurat. Do të jetë çështje disa javësh kur do të filloj rindërtimi i këtyre 25 deri 30 shtëpive të reja në Ballofc” përfundoi ai.

Me rastin e nënshkrimit të këtij memorandumi, i pari i Podujevës, Agim Veliu, tha se ndihet mirë nga vazhdimi i kësaj marrëveshje pasi që, atë kamp, siç e quajti ai, po e heqim nga rendi i ditës.

“Po memorandumi është me rëndësi që po vazhdon ajo marrëveshja e fillimit që e kemi bë me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale që atë kamp po e quaj të Ballofcit ta heqim nga rendi i ditës sepse me të vërtetë aty njerëzit jetojnë në kushte të rënda në kontejner. Më vjen mirë që edhe këtë vit ministria ka ndarë mjetet buxhetore për vazhdim të projektit dhe do të vazhdoj derisa të përfundojmë në tërësi. Unë besoj që shumë shpejt sikurse edhe u tha ne do të hyjmë në procedurat e nevojshme për të filluar punën dhe brenda pak ditësh besoj që do të krijohen mundësitë për ekzekutimin e kësaj pjese pastaj me rishikimin e buxhetit do të shkojmë. Ne si komunë kemi nda parcelën, e kemi nda parcelat për secilin banor që do të jetë përfitues aty dhe besoj që shumë shpejt ata kontejner do të hiqen”, tha ai.

Fitues të këtyre shtëpive, sipas Veliut, do të jenë ato familje të cilat përzgjidhen nga komisioni ndërpartiak i cili është formuar nga Kuvendi Komunal i Podujevës.

“ Përfituesit e këtyre shtëpive do të jenë ata për të cilët vendos një komision i cili është formuar nga Kuvendi i Komunës i përbërë nga subjektet politike që e përbejnë Kuvendin e Komunës. Kështu janë ndarë edhe herëve tjera, kështu do të veprohet edhe në të ardhmen” tha Veliu.

Muaj më parë Komuna e Podujevës kishte nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Punës së Mirëqenies Sociale për ndërtimin e shtëpive në këtë lagje me vlerë prej 100 mijë eurove./Llapi.info