Katërmuajshi Abdul Rahman hipi në jastëk mbi një batanije të kaltër në tendën e familjes së tij. Dyvjeçari, Walid, duke marrë një pozë të boksierit në qendër të ringut. Nëntëvjeçarja, Ranim, që kurrë nuk e ka njohur paqen, këmbët e saj të zbathura që lëkundeshin poshtë fustanit të kuq të qëndisur.
Fotografi i Reutersit, Khalil Ashawi, ka ilustruar kështu Ditën Botërore të Refugjatëve, që është sot, më 20 qershor, transmeton KOHA.

Ai shkoi në kampin Atmeh për të parë nga afër refugjatët në kufirin sirian-turk, aty ku familjet janë strehuar që nga viti 2011, një konflikt që ka bërë gjysmën e sirianëve të pastrehë.
Secilin vit të luftës ai e ka ilustruar me një foto të thjeshtë: nga një fëmijë të lindur në secilin prej këtyre viteve. Secili ka pozuar në tenda, i vetmuar, përveç tetëvjeçares Jumana dhe vëllait binjak të saj, Farhanit.
“Çdo fëmijë përfaqëson një vit. Çdo fëmijë tregon një rrëfim dhe secili ka rrëfimin e vet unik për luftën. Këta fëmijë nuk e dinë kuptimin e shtëpisë, disa nuk e dinë ose kanë harruar se një shtëpi ka mure e dyer”, ka shpjeguar Ashawi.
Ashawi kishte pyetur fëmijët se çfarë është shtëpia. Gjashtëvjeçarja Rawan kishte kujtuar se shtëpia e saj ishte ndërtuar në stilin e vjetër në Idlib.
“Shtëpia për mua është vendi ku janë miqtë e mi dhe familja. Kam sjellë me vete lodrat, por këtu s’është mirë. Tenda s’është shtëpi, sepse mund të digjet e mund të fluturojë me erën”, ka thënë ajo.