Njihet si nepërkë.
Ky është gjarpri helmues, “Vipera”, i cili me ardhjen e pranverës është shfaqur në Parkun e Gërmisë.
Fotografi të ndryshme janë postuar në rrjete sociale, derisa prania e këtij lloji të gjarprit sipas ekspertëve të mjedisit nuk duhet t’i shqetësojë vizitorët e Gërmisë, raporton KOHA.
Fatime Hajdari, e cila është drejtoreshë e Parqeve në Komunën e Prishtinës, thotë se me ngritjen e temperaturave gjarpërinjtë fillojnë të shfaqen më shumë nëpër hapësira gjelbëruese.
Drejtori i Institutit të Natyrës, Fadil Bajraktari, thotë se në Parkun e Gërmisë gjenden katër lloje të gjarpërinjve. Për llojin “Vipera” thotë se është më i rrezikshëm.
Vitet e fundit, sipas tij, nuk ka pasur ndonjë kafshim prej gjarpërinjve.
E drejtoresha e parqeve thotë se gjarpërinjtë janë të rrezikshëm vetëm nëse ngacmohen.
Ajo thotë se biodiversiteti në Gërmi është më i dendur, sesa në parqet e tjera në kryeqytet.