Është jurist i diplomuar e punon si zyrtar shtetëror në njërën prej ministrive të Qeverisë së Kosovës. Por, krahas kësaj, Alban Mitati ndjek edhe pasionin e tij. Është stilist.
Punën e dorës për këpucët dhe rrobat e kishte nisur diku në vitin 2004, fillimisht për vete e për familjarë të tij. Do të duhej të kalonte më shumë se një dekadë që prodhimet e tij të ktheheshin në brend. Prej vitit 2015, “Alban Mitati – Handmade” është nënshkrimi që u vihet produkteve të tij.
Mitati është fjalëpakë. Preferon të flasë më shumë me kreacionet e tij. E hobin e tij të fëmijërisë, që e ka kthyer edhe në profesion, thotë se e bën me shumë kënaqësi.
Fillimi i vështirë
Teksa flet për zanafillën e idesë që e shtyri në punëdore, Mitati kthehet në vitin 2004.
“Ideja me u marrë me dizajnimet e kostumeve dhe këpucëve ishte në vitin 2004. Në atë kohë e bëja punën e rrobaqepësit për vete dhe ndonjëherë edhe për të afërmit”, tregon Mitati, në bisedën për “Kohën Ditore”.
Hovin në këtë zanat do t’ia ndalte paksa puna si zyrtar shteti.
“Kur fillova punën në një institucion qeveritar punoja më pak me rrobaqepësi”, tregon ai.
Por, gjërat do të ndryshonin në vitin 2015. Një tjetër kahe do të merrte në aspektin e punës që bënte. Krahas punës me orar të plotë, juristi i diplomuar nisi të merrej seriozisht me dizajn.
“Punën e rregullt me klientë e kam filluar prej vitit 2015, kur është hapur si biznes”, thotë Mitati, që garanton se deri tani me punën e tij klientët kanë mbetur vetëm të kënaqur.
Por, fillimet e tij në këtë industri Mitati thotë se s’i ka pasur edhe gjithaq të lehta.