Pas një takimi që kanë zhvilluar deputetë të Grupit parlamentar 6+ kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sot deri në orën 16:00 të shkarkohet zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Gjergj Dedaj.
Lajmi.net ka kontaktuar me deputetin e Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Fikrim Damka, i cili ka thënë se janë takuar me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin dhe me një këshilltar të presidentit Thaçi dhe aty e kanë bërë të ditur këtë qëndrim.
“Presim deri në ora 04:00 në qoftë se nuk i plotëson kërkesën tonë na dy deputetët e komunitetit turk do të dalim prej koalicionit”, ka thënë deputeti për lajmi.net.
Lajmi.net ka tentuar të marrë një qëndrim nga Qeveria e Kosovës për këtë, por asnjë nga zyrtarët e saj nuk janë lajmëruar në telefon.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas takimit me deputetët e Grupit Parlamentar 6+, ka thënë se askush nuk mund t’i lëndojë raportet e Republikës së Kosovës me Turqinë.
“Me deputetët e Grupit Parlamentar 6 +, në një takim që pata sot, ndamë shqetësimin e përbashkët për aktin e dënueshëm ndaj simboleve të Republikës së Turqisë. Shteti i Kosovës, populli i Kosovës, i respekton dhe i nderon miqtë e vet, kulturën, simbolet dhe identitetin e tyre. Kosova ka raporte shumë të mira me Turqinë dhe askush nuk mund t’i lëndojë ato, e as nuk do ta lejojmë një gjë të tillë”, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook Veseli.
Kujtojmë, se kërkesa e komunitetit turk në Kosovë për shkarkimin e zëvendësministrit vjen pas deklaratës së Dedajt i cili përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se Turqia dhe Serbia po synojnë rikthimin e tyre strategjik në Kosovë përmes emisarëve të tyre.
Ndaj Dedajt Prokuroria Themelore në Prizren, ka pranuar një kallëzim penal të bërë nga Ertan Simitçi, pjesëtar i komunitetit turk në Prizren.