Ish-ushtruesi i detyrës së kryetarit të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, edhe zyrtarisht sot i ka dorëzuar këtë detyrë kryetarit të zgjedhur, Shpejtim Bulliqi, pasi ky i fundit triumfoi në zgjedhjet e 29 nëntorit, raporton Llapi.info.
Pas dorëzim-pranimit të detyrës, ish-nënrkyetari Rudari ka reaguar në një postim në Facebook, derisa ka thënë se humbja e një beteje, sipas tij, s’do të thotë edhe humbje e luftës.
“Sot bëra dorëzimin e detyrës së kryetarit të komunës, pas rezultatit të zgjedhjeve të 29 nëntorit. Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen që më keni dhënë gjatë gjithë këtij procesi. Po ashtu falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi për angazhimin dhe përkushtimin e dëshmuar në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim. Humbja e një beteje nuk do të thotë edhe humbje e luftës. Vazhdojmë bashkë edhe më fuqishëm për betejat e ardhshme”, ka shkruar ai.
Kryetari i zgjedhur i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, sot është beturar si kryetar në një seancë solemne në asamblenë komunale.
Në fjalimin e tij të bërë para këshilltarëve komunalë, Bulliqi është zotuar se do të punojë si kryetari i gjithë qytetarëve llapjanë, pa ndonjë dallim partie.
“Besimin që na e dhanë qytetarët ta kthejmë në punë dhe përgjegjësi. Jam jashtëzakonisht i nderuar që pas një procesi demokratik të zgjedhjeve llapjanët më besuan dhe më zgjedhën mua si kryetar të tyre. Komuna e Podujevës do t’i mirëpres dhe do të punojë me të gjithë qytetarët pa dallim”, tha mes tjerash Bulliqi.
Kujtojmë se Bulliqi është zgjedhur kryetar i kësaj komune me 51.9 përqind të votave në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura me 29 nëntor./Llapi.info