Rritja e rrjeteve sociale ka bërë që ne si popullsi globale të jemi më të lidhur se ç’kemi qenë ndonjëherë në historinë e njerëzimit.

Sidoqoftë, rrjetet sociale kanë filluar të kenë efekte të dukshme në shëndetin mendor, ku britanikët e kontrollojnë telefonin mesatarisht 28 herë në ditë, transmeton Telegrafi.

Ndonëse këto platforma mund t’i kenë përfitimet e veta, përdorimi i tepërt mund t’ju bëjë tejet të palumtur dhe të izoluar në periudhë afatgjate.

Më poshtë i keni disa prej mënyrave se si rrjetet sociale ndikojnë negativisht në shëndetin mendor, pa e kuptuar ju fare:

Vetëbesimi
Të gjithë ne i kemi pasiguritë tona, disa prej të cilave i themi hapur, e disa tjera që i mbajmë të fshehura në thellësitë tona. Sidoqoftë, krahasimi i vetes me tjerët në rrjete sociale vetëm sa jua shton dyshimet për vetveten. Ekspertët thonë se shumë njerëz vuajnë nga ‘xhelozia e Facebook-ut’, ndërsa ata që abstenojnë nga këto platforma raportojnë për kënaqësi më të madhe.

Lidhja njerëzore
Si qenie njerëzore, është e rëndësishme për ne të komunikojmë dhe të krijojmë lidhje personale me tjerët. Por, kjo mund të jetë gjë e vështirë për tu bërë nëse vazhdimisht jemi të ‘ngjitur’ në ekrane drejtkëndëshe, pasi që jemi bërë më të lidhur me miqtë digjitalë sesa me personazhet e tyre reale.

Memoria
Rrjetet sociale mund të jenë të mahnitshme për t’i rikujtuar ngjarjet e së kaluarës. Sidoqoftë, ato mund ta pengojnë edhe mënyrën se si i mbani mend gjërat e mira nga jeta juaj. Shumica prej nesh jemi fajtorë të shpenzimit të madh të kohës duke u përpjekur ta shkrepim një fotografi të mirë të një peizazhi të bukur, e të gjithë këtë e kemi bërë duke mos e absorbuar përvojën me dy sytë tanë.

Gjumi
Sasitë e mjaftueshme të gjumit kanë rëndësi tejet të madhe. Por, përdorimi i pajisjeve elektronike ka bërë që të na u çrregullohet edhe gjumi.

Shëndeti mendor
Jo vetëm se rrjetet sociale janë dëshmuar se e nxisin palumturin, por edhe mund të shpijnë në zhvillim të problemeve të shëndetit mendor, si ankthi apo depresioni.