Pothuajse se si të gjitha postet e tjera qeveritare edhe Ministria e Punëve të Brendshme këtë vit është përballur me ndërrime të shpeshta të udhëheqësve. Njëjtë me këtë ministri kishte ndodhur edhe në vitin e kaluar dhe jo-stabiliteti i kësaj ministrie ka bërë që shpesh në Kosovë të cënohet siguria kombëtare.

Ministria e Punëve të Brendshme vitin 2020 e filloi më në krye me ish-ministrin Ekrem Mustafa nga Nisma Socialdemokrate si ministër në detyrë i qeverisë së dorëhequr të ish-kryeministrit Haradinaj, shkruan lajmi.net.

Në fillimin e këtij viti, përveç një mbledhje të Këshillit Shtetëror për Siguri Kibernetike, ministri Ekrem Mustafa le që nuk pati ndonjë vendim me rëndësi, por ishte edhe shumë pak aktiv sa i përket punës në ministrinë që ai udhëhoqi.

Më 4 shkurt, pas votimit të qeverisë së re të Kosovës që udhëhiqej nga Albin Kurti dhe zgjati vetëm 51 ditë, Ekrem Mustafa ia dorëzoi detyrën e ministrit të Punëve të Brendshme nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu.

Por, në këtë moment filloi një parehati edhe më e madhe në këtë ministri. Lëvizja Vetëvendosje ia emëroi si zëvendësministër Veliut, Xhelal Sveçlën me të cilin përveç se nuk gëzonin fare bashkëpunim, harxhuan shumicën e kohës me akuza e kundër-akuza ndaj njëri-tjetrit.

Veliu, i cili është aktualisht ministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës në qeverinë Kurti nuk kishte shumë kohë për të bërë ndonjë punë.

Pas vetëm 6 javë në krye të kësaj ministrie, Veliu u shkarkua nga ish-kryeministri Kurti për arsye të mospajtimeve lidhur me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme si shkak i paraqitjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë pas mbajtjes së mbledhjes së Këshillit për Siguri Kombëtare.

Agim Veliu kishte dalë i një mendimi me ish-presidentin e Kosovës lidhur me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, derisa ish-kryeministri Kurti ishte kundër këtij vendimi dhe kjo bëri që Veliu të shkarkohej për shkak se sipas Kurtit nuk po i ndjekte politikat e qeverisë pjesë e së cilës ishte.

Shkarkimi i Veliut do të pasonte pas pak edhe me rrëzimin e qeverisë Kurti nga një mocion i mosbesimit i inicuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Por, në anën tjetër, situata në Ministrinë e Punëve të Brendshme po bëhej edhe më dramatike.

Pas shkarkimit të Veliut, udhëheqjen e kësaj ministrie si ushtrues i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme e mori zëvendësministri i parë, Xhelal Sveçla i Lëvizjes Vetëvendosje.

Sveçla e mori goxha me vrull dhe me zemër detyrën e re. Ai ishte goxha i interesuar që të përplasej me krerë të tjerë të shtetit dhe krerë të subjekteve të tjera politike, por në anën tjetër ai mbahet mend edhe për dyshimet se ishte futur në dhomën e përgjimeve.

Në fund të muajit mars, Sveçla vendosi të që bënte një padi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ai kishte dorëzuar pranë Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kallëzimin Penal të bërë kundër tij lidhur me deklarimet e presidentit Thaçi për të mos respektuar vendimet e marra nga qeveria Kurti aso kohe lidhur me masat mbrojtëse kundër virusit COVID-19 pasi sipas Thaçit nuk kishin përputhje me Kushtetutën.

E më dramatike situata u bë kur ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se ish-ministri i Punëve të Brendshme, ish-kryeministri Albin Kurti dhe ish-zëvendëskryeministri Haki Abazi kishin hyrë në Dhomën e Përgjimeve në Telekom.

Lidhur me këtë, Sveçla, Kurti e Abazi nuk ishin deklaruar qartësisht, por pas akuzave të ish-presidentit Thaçi, Prokuroria e Shtetit ka nisur hetimet me rastin pasi Thaçi kishte deklaruar se të tre së bashku kanë qëndruar tre ditë në Dhomën e Përgjimeve por që fillimisht kishin ndalur kamerat e sigurisë.

Sveçla ishte përplasur pak edhe me kreun e Aleancës Kosova e Re lidhur me çështjen e karantinimit të tij pasi i njëjti po vinte nga jashtë vendit në Kosovë. Kur po bëhej fjalë për votimin e qeverisë së re pas shkarkimit të qeverisë Hoti me mocionin e mosbesimit, vota e Behgjet Pacollit do t’ia pamundësonte këtë dhe Sveçla hartoi një strategji për ta ndalur.

Ai kishte thënë se Pacolli duhet të karantinohet, ndërsa i njëjti kishte hedhur akuza se Pacolli ka aderuar në Shqipëri dhe ka hyrë në Kosovë së bashku me presidentin Thaçi i cili ishte për vizitë atje. Por këto deklarata të çuditshme të tij u demantuan kur të nesërmen, Pacolli erdhi me airoplanin e tij privat në Airoportin e Prishtinës.

Gjatë kohës së tij në krye të MPB-së, Xhelal Sveçla kishte marrë vendim për shkarkimin e Kryeshefes së Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradije Kelmendi, vendim ky i anuluar pastaj kur u rikthye në detyrën e ministrit Agim Veliu.

Në këtë periudhë, u cënua siguria kombëtare kur xhandarmëria serbe hyri në territorin e Kosovës.

Në rrjete sociale ishte publikuar një video ku shiheshin xhandarmëria serbe teksa e kishin ndaluar një qytetar, ani pse kjo zonë po ishte neutrale. Kjo ngjarje kaloi pa shumë zhurmë në Kosovë.

E krejt në fund para dorëzimit të detyrës tek ish-shefi i tij në ministri, Agim Veliu, Sveçla u akuzua edhe njëherë rëndë. Veliu pas marrjes së detyrës deklaroi se kasaforta ku ruhen dokumentet konfidenciale në Ministrinë e Punëve të Brendshme ishte lënë e hapur nga Sveçla.

Ai i mohoi këto akuza, por mediet sollën fakte se kjo kishte ndodhur me të vërtetë. Një mori dokumentesh të klasifikuara si konfidenciale, që përmbajnë të dhëna të rëndësishme për sigurinë e shtetit – e që rrjedhja e tyre jashtë kësaj kasaforte, sikurse edhe mos mbajtja e tyre e fshehtë, është e dënueshme edhe me ligj – përveç se u lanë, u gjeten të pambyllura me dry dhe ishin edhe të pasistemuara mirë.

Se kasaforta u gjet e hapur, në ditën kur në MPB u kthye ministri Agim Veliu, pohon një raport që Ministria e Punëve të Brendshme e ka përpiluar 4 ditë më vonë, puna e të cilit nisi po atë ditë kur Veliu mori sërish detyrën e ministrit të MPB-së. “Komisioni konstaton se kasaforta në të cilën ruhen dokumentet konfidenciale në Kabinetin e Ministrit të MPB-së, është gjetur e hapur në momentin e pranimit të detyrës së Ministrit të MPB-së z. Agim Veliu me datën 04 qershor 2020”, thuhej në dokumentin e siguruar nga Gazeta Online ‘Reporteri.net’, që shpjegon gjetjet e komisionit.

E më 4 qershor të këtij viti, ‘aventura’ e Xhelal Sveçlës në Ministrinë e Punëve të Brendshme përfundoi, për t’i lëshuar rrugë një aventure të re të Agim Veliut, pas asaj të ndalur gjysmë nga ish-shefi i tij në qeverinë Kurti.

As pas marrjes së detyrës për herë të dytë, Ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu nuk tregoi ndonjë sukses në krye të këtij dikasteri. Përkundrazi, gjatë kohës së tij si ministër i MPB-së u cënua disa herë siguria kombëtare.

Veliu mund të përmendet për nënshkrimin e një marrëveshje me EUROPOL-in ku synohej të forcohej dhe avancoheshin kapacitetet e policisë së Kosovës në parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar ndërkombëtar, terrorizmit dhe formave të tjera të krimit të rëndë.

Më 7 gusht, xhandarmëria serbe edhe njëherë kishte hyrë në territorin e Kosovës. Ministria e Punëve të Brendshme ishte treguar edhe njëherë e jo-vixhilente rreth çështjeve të sigurisë pasi lidhur me këtë rast, nuk kishte ndonjë reagim të madh ose kundër-masë.

Veliu ishte ftuar për raportim në Kuvendin e Kosovës, e në anën tjetër kishte premtuar bashkëpunim me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR-in që të bëjnë patrullime të përbashkëta në pjesën e kufirit ku xhandarmëria serbe po futej shumë shpesh në Kosovë.

Përveç kësaj, në kohën sa Veliu ishte ministër i Punëve të Brendshme, Serbia arriti që në Kosovë t’i fusë ilegalisht, nëpërmjet kontrabandës, disa vaksina kundër virusit COVID-19 dhe madje kishte filluar edhe vaksinimi i qytetarëve në atë pjesë të Kosovës.

Përveç kësaj, Ministria e Punëve të Brendshme ani pse e kishte glorifikuar një aksion të Policisë së Kosovës kundër veprimtarive të paligjshme në Karaçevë, ai doli të ishte i dështuar edhe sipas deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.

Pasi edhe ky i fundit, njëlloj si Agim Veliu kishin deklaruar se ishte fillimi i luftimit të krimit në Kosovë, muaj më vonë, Hoti e shkarkoi drejtorin e Policisë, Rashit Qalaj duke thënë se operacioni në Karaçevë kishte mangësi dhe kështu duke e konsideruar si të dështuar.

Jo-stabiliteti i Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk ishte ekskluzivitet i këtij viti, pasi edhe vitin e kaluar 3 ministra të ndryshëm kishin qëndruar në krye të kësaj ministrie, por ky jo-stabilitet ka rezultuar që disa herë të cënohet siguria kombëtare e Kosovës.

Kjo ministri, e mbylli vitin 2020 me 3 ministra të ndryshëm, por me 4 mandate dhe 3 qeveri të ndryshme e së shpejti, në vitin 2021 pritet që shefi i këtij dikasteri të ndërrohet edhe njëherë, dhe MPB-ja po e kërkon stabilitetin e rehatinë për të mirë të sigurisë së Kosovës.