E themi në shoqëri dhe mes miqve shumë herë që lojtari i madh, shfaqet në ndeshje të mëdha.
Sigurisht se për dimensionin e Lionel Messit, karrierës dhe arritjeve që ka pasur, ndikimin që e ka pasur në futboll, ka pak gjëra për t’u diskutuar. Megjithatë, për t’u diskutuar ka shumë rreth performancave të tij me klubin dhe kombëtaren.
Jeni zgjuar nga gjumi. Nuk është ëndërr, Barcelona nuk është në gjysmëfinale, duke lëshuar një përparësi prej 4-1 nga ndeshja e parë ndaj Romës e cila nuk njihet se ka ndonjë traditë të madhe në garat evropiane, me gjysmëfinalen e parë të arritur në këto gara që prej vitit 1984.
Megjithatë, magnituda e ndeshjes që ka reprezentuar kjo çerekfinale dhe mundësia për gjysmëfinale e për një tripletë historike për Barcelonën kur po pretendohet se po jetohet periudha ku po e shohim kulmin e Lionel Messit – e bën këtë disfatë vështirë që të gëlltitet.
Barcelona është e qartë, varet shumë nga Lionel Messi. Dhe, pikërisht është kjo varësi që i bën lojtarët e mëdhenj, që i bëjnë gjërat të duken të lehta, atëherë kur janë më të vështira.
Një gjë e tillë nuk ndodhi me Lionel Messin ndaj Romës. Ai u zhduk, për të mos u shfaqur fare në krye të detyrës si lider për të siguruar një tjetër kualifikim, i cili u duk thua se është në xhep për Barcelonën.
Messi “i madh” edhe një herë u zhduk në një ndeshje të madhe. Që nga e marta Messi nuk është më as “jashtëtoksori” dhe as i pakontestueshëm si lojtari më i mirë në histori, ai është në një nivel të barabartë me Cristiano Ronaldon, ashtu siç i kanë nga pesë Topa të Artë.
Do të më gjykoni për një mendim të tillë, por ekzistojnë një numër argumentesh për të menduar se e marta ishte mbrëmja ku përfundimisht u vërtetua se Lionel Messit i mungon faktori që zotërojnë lojtarët e mëdhenj për ndeshjet e mëdha.
Zhdukja e tij ndaj Romës nuk është e pazakontë, këtë e kemi përjetuar edhe më herët.
Edhe ndeshja e madhe ndaj PSG-së ku Barcelona bëri rikthimin historik, ishte kryesisht meritë e Neymarit sepse ishte braziliani ai që ndikoi në rikthimin historik të sezonit të kaluar dhe jo Lionel Messi.
Me kombëtaren nuk ka nevojë fare që të diskutohet mungesa e faktorit të lojtarit të madh për Lionel Messin, pasi siç dihet Argjentina humbi një finale të Kupës së Botës pas vazhdimeve nga Gjermania dhe aty u prit që të shfaqej ai lojtari i madh, sa do që Argjentina e ka ekipin “jo aq të mirë”. Kjo është arsyeja pse Maradona vazhdon të mbetet më i madh.
I kthehemi të martës mbrëma. Messi u zhduk në Olimpico, duke mos arritur të bëjë diferencën për skuadrën e tij, por vetëm një javë më herët këtë e bëri dikush tjetër, rivali i tij i përbetuar i cili e ka vërtetuar epitetin si lojtari i ndeshjeve të mëdha. Dështimi si ekip është fakt, por kjo është disfata më e madhe personale e Messit në karrierë.
Në krahasimin me Ronaldon, Messi mbetet prapa, pasi jo si ky në Olimpico, Ronaldo shënoi dy gola për Real Madridin në mes të Italisë ndaj kampionit të Italisë që ka prapa dy finale në tri vitet e fundit, e madje realizoi edhe një prej golave më të bukur në histori të Ligës së Kampionëve.
Ronaldo është përpara ndaj Messit edhe në numrin e golave të shënuar në Ligën e Kampionëve, por edhe në numrin e golave të shënuar në ndeshjet e mëdha dhe ndikimin në ndeshjet e mëdha.
Kjo është arsyeja pse Ronaldo i ka tri tituj të Ligës së Kampionëve në shtatë vitet e fundit, ndërsa Lionel Messi e ka vetëm një titull të Ligës së Kampionëve në shtatë vitet e fundit. Qartë vërehet se dominimi i Messit në garën më të madhe evropiane nuk ishte më i madh se i Ronaldos.
Në fakt, sa her flitet për ndeshje e gara të mëdha, Ronaldo gjithmonë është mbi Messin.
Të shënosh hettriqe ndaj skuadrave inferiore në Spanjë sigurisht se është madhështore, por shumë më madhështore ishte fitorja e Romës falë dështimit të Messit për të treguar madhështinë e tij.
Po flasim për vërtetimin e epitetit si më i miri i historisë, si shenjtori i futbollit, një “el Messiah” me top, i cili nuk zhgënjeu vetëm tifozët, por gjithë futbollin, dhe këtë e bëri gjithmonë në ndeshjet e mëdha.
Argument tjetër për këtë janë eleminimet e kaluara të Barcelonës në sezonet e kaluara.
Në të gjitha eleminimet e Barcelonës nga Liga e Kampionëve në fazat e mëdha të Ligës së Kampionëve, Messi nuk ka shënuar asnjë gol në të dyja ndeshjet.
Liverpool (06-07) 180 ‘/ 0 gola
United (07-08) 152 ‘/ 0 gola
Inter (09-10) 180 ‘/ 0 gola
Chelsea (11-12) 180 ‘/ 0 gola
Bayern (12-13) 90 ‘/ 0 gola
Atlético (13-14) 180 ‘/ 0 gola
Atlético (15-16) 180 ‘/ 0 gola
Juventus (16-17) 180 ‘/ 0 gola
Rome (17-18) 180 ‘/ 0 gola
Simptoma e Messit për shumë tifozë mund të jetë vetëm Liga e Kampionëve, por ajo u vërtetua edhe kur mbi supe kishte gjithë kombin e Argjentinës në finale, e vetëm javë më parë rivali i tij shënoi dy gola ndaj kampionit të Italisë në Itali.
Talenti i Messit është i pakontestuar, sidomos në La Liga ndaj skudrave inferiore. Nëse dikush ka menduar se Messi është ai “jashtëtoksori” dhe lojtari më i mirë në histori të futbollit, shenjtori që është shumë lart mbi Ronaldon, nga e marta nuk ka të drejtë më askush të mendojë kështu.
Messi është në një nivel me Ronaldon, e për t’u konsideruar më i miri në histori duhet ta dëshmojë veten këtë verë duke sjellë Kupën e Botës në shtëpi. Çdo gjë tjetër relativizon të arriturat e tij dhe e bëjnë të qëndrojë nën hijen e Diego Armando Maradonas, pas dështimit për të dominuar në Ligën e Kampionëve në shtatë vitet e fundit.
Messi ka nevojë për Kupën e Botës që të dalë nga hija e Maradonas, pasi tashmë është në hijen e Ronaldos në Ligën e Kampionëve./Telegrafi