Një takim historik u zhvillua midis dy liderve korean, Kim Jong Un dhe presidentit të Koresë Jugore Moon Jae-in. Në një moment historik për të dy vendet, liderët shtrënguan duart në të dy anët e kufirit. Takimi u zhvillua në Shtëpinë e Paqes në Panmunjom, një kompleks ushtarak në zonën e çmilitarizuar, ku u mbajt një ceremoni mikpritëse për liderin e Koresë së Veriut. Ky vend shënon kufirin midis dy Koreve pasi ka ndarë gadishullin që nga fundi i luftës së Koresë në vitin 1953, shkruan srf.ch.
Në këtë zonë tepër të kontrolluar mes dy shteteve të një kombi, prej 65 vitesh patrullojnë edhe ushtarë zviceranë. Përndryshe në Panmunjon është prezenca më e gjatë e ushtrisë zvicerane në një vend të huaj, përcjell albinfo.ch. Në mes të vendit të asnjërit në gadishullin korean qëndron gjeneral majori Patrick Gauchat me një veturë të zezë dhe një flamur zviceran. Ai ka shërbyer edhe në misionet tjera të huaja si në Afrikë dhe Kosovë, ndërsa tani është përgjegjës për misionin në Panmunjom.
Forcat zvicerane kanë detyrë të shqyrtojnë nëse respektohet marrëveshje e paqes mes dy koreve. Sipas Gauchet, nuk ka rrezik, për shkak se të dy ushtritë janë të mirë organizuara dhe respektojnë konditat. Ndërsa një parim i ushtarëve thotë se “nëse jeton akoma, don të thotë se je mirë”.
Krahas ushtarëve zviceranë në zonë patrullojnë edhe ushtarë suedezë, polakë dhe dikur edhe çeko-sllovakë.
Edhe në aspektin politik Zvicra ka fokusin e saj në raportin mes dy Koreve. Si një anëtare e parë qeveritare jo koreane, që kalon demarkacionin e çmilitalizuar mes dy Koreve është ish ministrja e jashtme (më vonë edhe presidente) e Zvicrës Micheline Calmy-Rey në 2003. Kjo shënoi edhe një moment historik.