Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, vizitoi sot Tregun e Gjelbër, në të cilin brenda pak ditësh do të vendosen tregtarët dhe fermerët, shitës të produkteve të tyre, thuhet në komunikatën komunale, transmeton Llapi.info
Gjatë vizitës në Tregun e Gjelbër, kryetari Veliu ka parë nga afër realizmin e këtij projekti dhe kushtet që ofron tregu i ri për tregtarët dhe prodhuesit bujqësorë.
Veliu, i cili gjatë vizitës në treg shoqërohej nga Faik Muçiqi – drejtori Shërbimeve Publike dhe Avni Fetahu – drejtor i Bujqësisë, u shpreh i kënaqur me realizmin e këtij projekti me interes për tregtarët dhe qytetarët llapjanë.
“Me ndërtimin e Tregut të Gjelbër kemi krijuar kushte të mira për tregtarë dhe për fermerët të cilët do të kenë ku t’i shesin produktet e tyre. Njëkohësisht, tregu do të jetë një ndihmesë e madhe edhe për qytetarët, të cilët tash e tutje do të kenë mundësinë që në një vend të furnizohen me artikuj ushqimor”, tha kryetari Veliu.
Tregu i ri në Podujevë tashmë është i gatshëm dhe nga fillimi i muajit maj të gjithë tregtarët e produkteve bujqësore, por edhe tregtarët e tjerë ambulantë që tregtojnë nëpër hapësirat publike të qytetit, do të vendosen në tregun e ndërtuar sipas standardeve dhe i cili plotëson nevojat e tregtarëve.
Projektin e ndërtimit të tregut e ka përkrahur edhe Instituti “RIINVEST”, në përkrahje të fermerëve kultivues të mjedrës, të cilët gjatë sezonit të vjeljes do të kenë stendat e tyre për shitjen e mjedrës.
Në kuadër të Tregut të Gjelbër janë edhe objektet për shitjen e produkteve të qumështit – Tregu i Bulmetit, ndërsa afër këtij tregu është edhe tregu i veshmbathjeve.