Nga skuadra e Llapit disa nga futbollistët kryesorë janë larguar nga klubi, duke mos vazhduar të jenë pjesë e tyre edhe për sezonin e ardhshëm, njofton Llapi.info
Ish-kampioni i Kosovës, Drita duket se ka hyrë seriozisht në këtë afat kalimtar të verës, derisa ka bërë transferime të bujshme.
Cak i skuadrës nga Gjilani kanë qenë edhe dy futbollistë kryesorë e cilësorë të ekipit nga Podujeva, Llapi.
Bëhet fjalë për ish-kapitenin e Llapit, Hamdi Namani dhe mbrojtësin Ilir Blakçori.
Ish-kapiteni i skuadrës nga “Zahir Pajaziti”, Hamdi Namani zgjodhi largimin nga Podujeva pas gjashtë vjetësh qëndrimi te klubi llapjan. Namani është një nga më të mirët në futbollin kosovar dhe Drita me të ka bërë një transferim bombastik, e repartin mbrojtës klubi nga Gjilani e ka përforcuar edhe me Blakçorin.
Ka qenë vetë klubi i Dritës që i ka prezantuar të dy futbollistët në faqen zyrtare.
Ndërkohë, për këto largime trajneri i Llapit, Tahir Batatina për medie ka thënë se këta lojtarë të larguar të nuk kanë qenë në planet e tij për sezonin e ardhshëm, duke pasur parasysh se ai po mundohet të krijojë një skuadër më solide se që e ka pasur sezonin e kaluar.
Kujtojmë që nga Llapi deri më tani zyrtarisht janë larguar: Hamdi Namani, Ilir Blakçori, Ahmed Januzi, Edon Zeqiri e Eglant Haxho.
Por, mbetet të shihet se a do të ketë ndonjë transferim të bujshëm në klubin llapjan, teksa ka pretendime se Llapi do të jetë edhe sezonin tjetër konkurrent për trofe. E, për t’u kurorëzuar me trofeun e parë, Llapi ka prezantuar në radhët e veta disa lojtarë, në mesin edhe tyre edhe 34-vjeçarin nga Shqipëria, Sebino Plaku./Llapi.info