Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër të pandehurit F.M, për shkak të veprës penale “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste”.
I pandehuri rreth dy muaj më parë ka bërë thirrje për vrasje të Ambasadorit të Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi.
“Shkurt e shqip duhet të vritet Qëndrim Gashi” dhe “ka si ti ende do vritet edhe ky qeni Qëndrim Gashi”, kishte shkruar F.M në rrjete sociale, transmeton Klan Kosova.
Ky reagim i tij ka ardhur, siç thuhet në kumtesë “për shkak se i dëmtuari në profilin e tij në “Twitter” kishte postuar një karikaturë të profetit Muhamed, si shenjë reagimi ndaj vrasjes së mësuesit në Francë, ashtu që i pandehuri me këto postime ka bërë thirrje me qëllim të shtytjes për kryerjen e aktit terrorist e duke shkaktuar rrezik që një apo më shumë vepra të këtilla të kryhen”.