Në Astana të Kazakistanit ka nisur raundi i nëntë i bisedimeve të paqes për Sirinë, negociata këto që sponsorizohen nga Irani, Rusia dhe Turqia.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kazake, Anuar Zhainaqov u tha gazetarëve se i dërguar i posaçëm i OKB-së për Siri, Staffan de Ministura, pritet t’u bashkohet bisedimeve më vonë gjatë ditës së sotme, ndërkaq delegacioni i opozitës së armatosur siriane pritet të arrijë në Astana më 15 maj.
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara nuk do të marrin pjesë në këtë raund bisedimesh.
Në të kaluarën SHBA ka dërguar delegecione në bisedimet në kryeqytetin kazak.
Përveç bisedimeve në Astana, negociatat që sponsorizohen nga Kombet e Bashkuara janë mbajtur në Gjenevë, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje politike me qëllim që t’i jepet fund luftës civile shtatëvjeçare siriane.
Rusia dhe Irani mbështesin Qeverinë e presidentit sirian, Bashar al-Assad, ndërkaq Turqia dhe Shtetet e Bashkuara, mbështesin grupe të ndryshme rebele.
Mbi 330 mijë persona janë vrarë në Siri dhe miliona të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre që prej se nisi konflikti në mars të vitit 2011.