Autoritetet kineze kanë filluar testimin e miliona njerëzve në Wuhan, pasi që qyteti që ishte qendra e shpërthimit të pandemisë së koronavirusit raportoi sërish një grup të vogël të infektimeve.

Zyrtarëve të lagjeve të ndryshme u është thënë të nisin testimin e grupeve të banorëve që nuk janë testuar asnjëherë dhe të përfundojnë punën brenda 10 ditësh në vendin me 11 milionë banorë.

Metodat duket se dallojnë nga vendi në vend dhe ka pasur konfuzione rreth kornizës kohore dhe kritereve për të testuar.

Wuhani do të testojë çdo banor në qytet, me cakun e arritjes së një numri të qartë të rasteve asimptomatike gjersa bizneset dhe shkollat po rihapen. Agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua raportoi se prioritet do të kenë banorët të cilët nuk janë testuar më parë, lagjet që kanë pasur raste te reja dhe lagjet e banuara nga numër i madh i banorëve.

Në një lagje, më shumë se 2000 njerëz u testuan të enjten, por thuhet se mjekët mbetën pa reagjentë, dhe kjo komplikoi përpjekjet që të testohet çdo banor deri në orën 8 të mbrëmjes.

Në një deklaratë zyrtare e qytetit u tha se Wuhan i ishte kthyer normales pas muajve të kufizimeve por se “sëmundjet infektive i kishin vetë rregullat e tyre”.

Wuhan ka testuar rreth 1.79 milionë njerëz nga 1 prilli gjer më 13 maj, sipas kalkulimeve të të dhënave të komisionit shëndetësor, të bëra nga agjencia e lajmeve Reuters.