Pas mbledhjes së djeshme të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputetët e partisë dolën me deklarata se janë në pëgatitje të mocionit të votëbesimit, për rrëzimin e Qeverisë.
Mirëpo, vetëm me votat e opozitës ky mocion nuk mund të kalojë, prandaj LDK po kërkon vota edhe nga pozita. Mediat raportuan sot se LDK është duke e kërkuar mbështetjen e deputetëve të Nismës.
Ndërkohë këta të fundit thonë se ende nuk kanë marrë ndonjë kërkesë të tillë nga LDK-ja.
Deputeti i Nismës, Zafir Berisha ka thënë për lajmi.net se nuk janë të informuar se partia e Isa Mustafës po kërkon vota direkt nga partia të cilës Berisha i përket.
“Nuk jemi të informuar që po kërkon vota direkt nga ne, ata po deklarohen se do të nisin një mocion, por nuk i kanë votat për rrëzimin e Qeverisë si nuk i ka votat edhe Qeveria për të funksionuar si duhet”, ka thënë ai.
Berisha mendon se ende nuk ka ardhur koha për ndërrimin e Qeverisë.
“Në fund të fundit ne jemi pjesë e Qeverisë ende nuk kemi ardhë në përfundim se kjo Qeveri duhet të shkojë në shtëpi apo jo”, është shprehur deputeti.
Theksojmë se para një viti e gjysmë, Qeveria e ish-kryeministrit Isa Mustafa, ishte rrëzuar pikërisht nga iniciativa e nisur në Kuvend nga deputetët e Nismës.