Anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe deputeti i saj, Muharrem Nitaj ka reaguar ndaj kërkesë së Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhje të reja.

Ai ka thënë se disa eksponentë të LDK-së ende nuk po mund të pajtohen me shkarkimin e qeverisë së drejtuar nga Isa Mustafa.

“Shumë prej veprimeve të tyre edhe sot udhëhiqen me inatin e dikurshëm. Po ajo punë ka përfunduar dhe është mirë që të kthehen kah e ardhmja dhe të mos jetojnë me të shkuarën. Në këtë linjë e shoh edhe kërkesën e tyre për zgjedhje”, ka thënë Nitaj për lajmi.net.

LDK është duke kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare. Madje ata synojnë që gjatë javës së ardhshme të mbledhin në një tryezë liderët e partive politike, për të caktuar një datë të zgjedhjeve të parakohshme, në të kundërtën kanë kërcënuar Qeverinë me mocion mosbesimi në Kuvend.

Por, për Nitaj nuk është LDK ajo që vendosë për zgjedhje, madje sipas tij, nuk ka asnjë shenjë për zgjedhjeje të jashtëzakonshme.

“Është e natyrshme që opozita të kërkoj zgjedhje, por nuk është LDK-ja ajo që vendosë se kur duhet të mbahen ato. Njëherë nuk ka asnjë shenjë për zgjedhje të parakohshme. Përkundrazi, Qeveria e drejtuar nga Zoti Haradinaj është duke punuar me krejt kapacitetet e saj. Bile po ndodhë që për të parën herë ajo të dijë edhe të kërkoj përgjegjësi”, është shprehur Nitaj.

Ky deputet i AAK-së, ka lavdëruar punën që po bënë kryeministri Ramush Haradinaj, i cili është edhe kryetar i AAK-së, duke thënë se kryeministri po rikthen respektin e Brukselit dhe Washingtonit.

“Në planin ndërkombëtar po e rikthen respektin e Brukselit dhe Washingtonit. Është në rrugë të mirë ta bëjë të mundur edhe liberalizimin e vizave.  Demarkacioni është hequr si kusht dhe ka hyrë në rrugë të zgjidhjes. Kanë ndodhur së paku dy investime milionëshe të huaja dhe të tjera që janë në pritje”.

“Ka edhe shumë projekte të tjera, që lidhen me procese të rëndësishme për shtetin e Kosovës, të cilat po i menaxhon në mënyrë perfektë kjo Qeveri dhe prandaj nuk është kohë zgjedhjesh”, është shprehur Nitaj.

E sa i përket kërkesës për zgjedhje të reja nga LDK, ka folur edhe vetë Ramush Haradinja, kryetar i AAK-së dhe kryeministër. Ai në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, është shprehur se nëse LDK e ka përnjëmend rrëzimin e Qeverisë, atëherë do t’i ketë votat e AAK-së.

Partia më e madhe opozitare LDK ka kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme që një kohë. Madje ata kishin thënë se menjëher pas ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi, vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Kjo parti dje ka mbajtur edhe një takim me kryetarët e degëve ku ka folur për përgatitjet për zgjedhjet e reja.

Koalicioni qeverisës ka humbur shumicën e numrave në Kuvend, pas daljes së Listës Serbe nga Qeveria, dhe në Kuvend tashmë është rreshtuar si parti opozitare.